Hamza: S'kemi pasur komunikim me LVV-në, kërkesa jonë është e qartë, seancë për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se kërkesa e partisë së tij është thirrja e seancës së Kuvendit dhe votimi në lexim të dytë i projektligjit për Dhomat e Specializuara.
Para mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Hamza tha se nuk kanë pasur komunikim lidhur me këtë çështje, ndërsa theksoi se nuk ka pengesë për votimin e ligjit.
“Jo, nuk kemi pasur komunikim. Kërkesa jonë është e qartë: të thirret seanca, ligji të votohet në lexim të dytë. Nuk ka asnjë vështirësi, asnjë pengesë. Nëse ka pasur çfarëdo pengese ose çfarëdo dileme, pse ka kaluar në lexim të parë?”, tha Hamza.
Kryesia e PDK-së është mbledhur në orën 10:00, ndërsa zhvillimet vijnë në një ditë kur, në mesnatë, përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. /EO