1.656 gjoba për tejkalim të shpejtësisë në rajonin e Ferizajt

Policia rajonale e Ferizajt, përmes njoftimit, ka bërë të ditur se gjatë muajit shtator 2026 ka shqiptuar gjithsej 1.656 gjoba ndaj shoferëve, të cilët janë kapur duke lëvizur me shpejtësi mbi normat dhe kufizimet e lejuara.

“Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit ‘Shpejtësia nuk është aftësi, është rrezik’, me moton kryesore: ‘Mos e mat jetën me kilometra në orë”’, thuhet në njoftimin e PK-së, raporton Zeri.info.

Apel për shoferët:

Shpejtësia e papërshtatshme rrezikon drejtpërdrejt jetën e shoferit dhe të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Respektoni kufizimet e shpejtësisë dhe përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës, pasi një moment pakujdesie mund të ketë pasoja në njerëz.

Kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

Ftohen qytetarët të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo shkelje përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.

Të dhënat e raportuesve ruhen në konfidencialitet të plotë.