Trajneri i Irlandës i kërkon UEFA-s: Kurrë më ndeshje me Izraelin

Trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, i ka bërë thirrje UEFA-s që të mos lejojë që Irlanda dhe Izraeli të përballen sërish në garat e ardhshme, pas dy ndeshjeve të fundit mes tyre në Ligën e Kombeve.

Dy ekipet janë përballur dy herë brenda një periudhe të shkurtër. Irlanda ka fituar 3-0 në ndeshjen e zhvilluar në Debrecen të Hungarisë, ndërsa të dielën Irlanda dhe Izraeli kanë barazuar 1-1 në Backa Topola të Serbisë, ku Irlanda ka qenë vendase.

HallgrImsson ka thënë se gjatë këtyre ndeshjeve ka pasur disa incidente që, sipas tij, mund të kishin çuar në përshkallëzim të situatës.

“Padyshim që ka një mbështetje të fortë për Palestinën në Irlandë. Nuk ka shumë vende që e mbështesin Palestinën aq sa e mbështet Irlanda. Do të doja që asnjë ekip kombëtar të mos përjetonte atë që kemi përjetuar këto dy javët e fundit. Ndoshta UEFA duhet të ndërhyjë dhe të bëjë diçka”, ka thënë Hallgrímsson për transmetuesin kombëtar irlandez RTE.

Trajneri islandez ka theksuar se në ndeshjet mes dy përfaqësueseve ka pasur momente tensioni, por ka vlerësuar se situata është menaxhuar para se të përshkallëzohej.

“Pati shumë incidente që mund të kishin përshkallëzuar. Ne ishim mjaft të zgjuar për ta ndaluar situatën para se të shkonte më tej”, ka deklaruar ai.

Hallgrimsson ka shtuar se ka pasur përshtypjen se lojtarët irlandezë janë provokuar për të reaguar në mënyrë që situata të përkeqësohej.

“Pata përshtypjen se qëllimi ishte të na frikësonin dhe të na shtynin të bënim ndonjë budallallëk”, ka thënë ai, duke iu referuar sjelljes së lojtarëve dhe raportimit në mediat izraelite.