Lajm i madh për Barcelonën, Raphinha drejt rinovimit me Barcelonën

Barcelona pritet të finalizojë këtë javë marrëveshjen e re me kapitenin Raphinha, i cili është pranë vazhdimit të kontratës me klubin deri në qershor të vitit 2030.

Sipas “Tot Costa” të Catalunya Radio, sulmuesi brazilian ka arritur marrëveshjen për rinovimin, që do t’ia zgjasë kontratën aktuale edhe për dy vite, marrëveshja e tij aktuale me katalanasit skadon në vitin 2028.

Rinovimi vjen pas një fillimi të shkëlqyer të sezonit për Raphinhën nën drejtimin e Hansi Flick. Braziliani ka realizuar 14 gola dhe ka dhuruar tri asistime në tetë paraqitje në të gjitha garat.

Raphinha po ashtu kryeson aktualisht listën e golashënuesve në La Liga me 12 gola, duke konfirmuar peshën e tij në repartin ofensiv dhe rëndësinë që ka fituar në formacionin e Barcelonës.

29-vjeçari e ka bërë të qartë edhe më herët dëshirën për të qëndruar për një kohë të gjatë në “Camp Nou”, madje duke shprehur synimin që ta mbyllë karrierën te Barcelona.

Marrëveshja e re pritet ta mbajë Raphinhën në klub deri në moshën 33-vjeçare dhe përfaqëson një tjetër dëshmi të besimit të Barcelonës ndaj një lojtari që është shndërruar në një prej figurave kryesore të ekipit të Flick.

Raphinha iu bashkua Barcelonës në vitin 2022 nga Leeds United dhe që prej atëherë është konsoliduar si një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës në fazën ofensive.