Abrashi: Ligji për Specialen asnjëherë në rrezik- i ka 90 vota, presidenti nuk i ka 80 vota

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, i ka cilësuar të pakuptueshme kushtëzimet e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Abrashi ka thënë se LVV-ja asnjëherë nuk e ka lidhur çështjen e presidentit me votimin e ligjit.

“Kurrë ne nuk e kemi lidhur çështjen e presidentit me votimin e ligjit”, ka deklaruar Abrashi.

Sipas tij, çështja e presidentit është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga PDK-ja dhe afati për zgjedhjen e tij ka ardhur si rezultat i këtij procesi.

“Vetë PDK e dërgoi në Kushtetuese çështjen e presidentit dhe data na erdhi si na erdhi”, ka thënë ai.

Abrashi ka deklaruar se Ligji për Dhomat e Specializuara nuk ka qenë në rrezik dhe si dëshmi për këtë ka përmendur votimin e sotëm, ku projektligji mori 90 vota.

“Ligji asnjëherë nuk ka qenë në rrezik, e pamë sot se ligji i mori 90 vota, presidenti nuk i ka 80 vota”, është shprehur Abrashi.

Deputeti i LVV-së ka akuzuar PDK-në se po i manipulon ndjenjat e qytetarëve lidhur me këtë çështje.

“Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në apel kërkon angazhim institucional”, ka deklaruar Abrashi.