Deputeti Rexhepi tregon si u sulmua nga protestuesit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, ka rrëfyer në RTK Prime incidentin e ndodhur pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, ku tha se ishte ndalur dhe më pas ishte kapur fizikisht nga disa protestues që po qëndronin para objektit të Kuvendit.

Rexhepi, profesor doktor dhe vëllai i dëshmorit Njazi Rexhepi, tha se pas përfundimit të seancës kishte dalë nga objekti i Kuvendit për të marrë terapi. Sipas tij, ai fillimisht kishte dalë nga pjesa e pasme e objektit, ku nuk kishte pasur turmë, ndërsa më pas, kur kishte arritur te hyrja kryesore, ishte ndalur nga disa protestues.

“Fillimisht tre-katër veta më kanë ndalur dhe më kanë pyetur a je deputet.Pastaj më kanë pyetur se cilës parti i takoj dhe u kam treguar se jam deputet i Lëvizjes Vetëvendosje”, ka deklaruar Rexhepi.

Ai tha se protestuesit i kishin kërkuar të kthehej brenda objektit të Kuvendit, pavarësisht se seanca kishte përfunduar.

“Kanë filluar të kërkojnë prej meje që të kthehem. Unë u kam thënë se seanca ka përfunduar dhe projektligji është votuar. Kur të na thërrasin për seancën e radhës, ne përsëri kthehemi”, tha ai.

Sipas deputetit, situata më pas ishte tensionuar dhe protestuesit kishin filluar të silleshin në mënyrë agresive.

“Unë u kam thënë mos më kapni, mos më prekni, mos më shtyni, edhe kthehem vetë. Nuk ka nevojë me pasur këtu ballafaqime e shtyrje’”, u shpreh Rexhepi duke pretenduar se situata ishte përshkallëzuar pas afrimit të njërit prej drejtuesve të protestës, të cilin e identifikoi si Çlirim Haziri.

“Në atë moment është afruar Çlirim Haziri, ky udhëheqësi kryesor që është i protestave. Edhe ky e ka nxitur, me thënë të vërtetën, krejt situatën në atë moment. Pastaj më kanë kapur dhunshëm dhe më kanë përcjellë brenda oborrit të Kuvendit”, deklaroi Rexhepi.

Deputeti tha se disa prej personave që, sipas tij, kanë qenë më të dhunshëm gjatë incidentit, i ka identifikuar dhe se rastin do t’ia paraqesë Policisë së Kosovës.

Rexhepi e konsideroi të papranueshme mënyrën se si, sipas tij, ishte trajtuar nga protestuesit, duke theksuar se kishte marrë pjesë edhe vetë në protestat kundër Gjykatës Speciale.

“Është shumë e ulët me u sjellë në atë formë ndaj njerëzve të cilët ndoshta edhe do t’i njohin njerëzit dhe do ta dinë çfarë ka bërë njeriu dhe çfarë kontributi kam dhënë”, deklaroi ai.