Gruda për fjalimin e Kurtit: Veç sa s’i bëri thirrje Hagës të mos e zbatojë ligjin nëse miratohet

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka kritikuar fjalimin e kryeministrit Albin Kurti në Kuvend lidhur me Ligjin për Gjykatën Speciale.

Gruda ka deklaruar se fjalimi i Kurtit, sipas tij, përbën “dorëzim para përgjegjësisë” dhe se ishte në thelb sabotim i ligjit, pavarësisht faktit që në fund ai votoi pro tij.

“Fjalimi i Albin Kurtit në Kuvend për Ligjin për Gjykatën Speciale ishte dorëzim para përgjegjësisë që ka. Ishte, në thelb, sabotim i ligjit, pavarësisht se në fund e votoi”, ka shkruar Gruda.

Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen e Kurtit gjatë procesit gjyqësor në Hagë, duke pretenduar se për gjashtë vite nuk ka ndërmarrë asnjë hap dhe se vetëm tani ka folur për strategji dhe për mangësitë që, sipas tij, i ka ligji.

“Njeriu që për gjashtë vite të procesit gjyqësor në Hagë nuk ka ndërmarrë asnjë hap, sot fliste për strategji dhe për atë se si ky ligj nuk qenka i duhuri”, ka deklaruar Gruda.

Sipas deputetit, argumentet e përdorura nga Kurti kundër ligjit shkojnë deri aty sa mund të interpretohen si thirrje që Gjykata Speciale të mos e zbatojë atë në rast të miratimit.

“Madje, me argumentet që përdori kundër tij, veç sa nuk i bëri thirrje Hagës që të mos e zbatojë ligjin nëse miratohet”, ka shkruar Gruda.