FSK-ja, e artë në garën “Cambrian Patrol” në Mbretërinë e Bashkuar
Ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka fituar medaljen e artë në garën “Cambrian Patrol”, e organizuar nga Ushtria britanike, në kuadër të aktiviteteve bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas njoftimit të FSK-së, ekipi nga Kosova, pjesë e Regjimentit të Parë të Këmbësorisë të Komandës së Forcave Tokësore, u rendit mes ekipeve më të suksesshme në garë, ku morën pjesë mbi 60 ekipe nga vende të ndryshme dhe nga Mbretëria e Bashkuar.
“Forca e Sigurisë së Kosovës tash e sa vite me radhë është pjesë e kësaj gare, një nder garat më sfiduese në botë, ku ekipet pjesëmarrëse nga FSK-ja, me profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin e treguar arrijnë te kthehen me medalje. Këtë vit ekipi pjesëmarrës i FSK-së ishte nga Regjimenti i parë i Këmbësorisë i Komandës së Forcave Tokësore, të cilën arritën që në mesin e mbi 60 ekipeve garuese të marrin medaljen e artë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.