PDK-ja merr përsipër premtimin, LVV-ja merr përfitimin
Në Kuvend mund të krijohet një shumicë për ndryshimin e ligjit. Por kjo shumicë nuk garanton uljen e dënimeve dhe as kthimin e proceseve në Prishtinë.
Më bie shpesh ta them atë që nuk duam ta dëgjojmë, edhe kur e di se dhemb dhe se kundërshtimi im mund të keqkuptohet. Nuk është hera e parë.
Por pikërisht respekti për njerëzit që presin drejtësi më pengon të duartrokas një nismë pa pyetur se çfarë mund të ndryshojë realisht. Ata që kërkojnë mbështetje për ndryshimin e ligjit duhet të dëshmojnë edhe fuqinë e tij për të sjellë ndryshim. Përndryshe, politika merr duartrokitjet, ndërsa familjeve u mbetet barra e një shprese tjetër të pambajtur.
Kur po ndërtohej Gjykata Speciale, përgjegjësia ishte të lexohej me kujdes ajo që po miratohej. Sot përgjegjësia është të mos premtohet më shumë sesa mund të ndryshohet. Përndryshe, pakujdesisë së atëhershme i shtohet iluzioni i tanishëm.
PDK-ja ka të drejtë të kërkojë ndryshimin e ligjit. Por duhet të shpjegojë se si do t’i kapërcejë pengesat kushtetuese që qëndrojnë përpara rezultateve që synon. Një shumicë parlamentare mund ta miratojë tekstin. Nuk mund të garantojë se gjykata do ta zbatojë atë në mënyrën që dëshirojnë autorët.
Pikërisht këtu ka rëndësi neni 162(3). Ai ia rezervon Dhomës së Specializuar Kushtetuese shqyrtimin e referimeve kushtetuese që lidhen me Gjykatën Speciale dhe prokurorinë e saj. Prandaj, përpjekja për t’ia hequr këtë kompetencë me ligj të zakonshëm përballet me një kundërshtim themelor. Kuvendi po përpiqet të ndryshojë me ligj një kompetencë të përcaktuar nga Kushtetuta.
Mbështetja kryesore për pjesën kushtetuese është vetë Neni 162(3) dhe qëndrimi i Dhomës Kushtetuese i 26 nëntorit 2020, që riafirmoi kompetencën e saj ekskluzive. Kjo nuk e bën automatikisht të pavlefshëm çdo propozim. Por e bën të papërgjegjshëm paraqitjen e gjithë nismës si rrugë të sigurt drejt uljes së dënimeve ose kthimit të çështjeve në Prishtinë. Këto rezultate varen nga vlefshmëria e ndryshimeve dhe nga mënyra si mund të zbatohen në secilin proces.
Politikisht, ndërkaq, LVV-ja mund të dalë përfituesja më e madhe. Duke e mbështetur nismën, ajo shmang akuzën se po pengon një përpjekje në ndihmë të ish-drejtuesve të UÇK-së. Nëse ndryshimet nuk prodhojnë rezultatin e pritur, mund të thotë se votat i dha, ndërsa pengesa erdhi nga gjykata ose nga kufijtë kushtetues.
PDK-ja, si nismëtare, mbetet shumë më e ekspozuar ndaj pyetjes se përse krijoi pritje që nuk mund t’i garantonte. Kjo është pabarazia politike që prodhon nisma. LVV-ja mund të marrë përfitimin e mbështetjes, ndërsa PDK-ja të mbajë barrën e premtimit.
Sepse, kur u votua Gjykata Speciale, LVV-ja e ktheu kundërshtimin formal në fitim politik. Sot mund të fitojë duke mbështetur ndryshimin e saj, ndërsa PDK-së i mbetet barra për t’u shpjeguar familjeve pse votat në Kuvend nuk prodhuan rezultatin e premtuar.
Nuk kemi nevojë të pretendojmë se dimë çfarë mendojnë privatisht drejtuesit e dy partive. Mjafton të shohim se kujt i mbetet përgjegjësia nëse votimi përfundon me duartrokitje, ndërsa situata e të dënuarve mbetet e njëjtë.
Pastaj vjen pyetja që nismëtarët duhet ta sqarojnë përpara votimit. Çfarë ndodh nëse ndryshimet nuk shqyrtohen menjëherë nga një panel, nëse kërkesa kushtetuese nuk paraqitet siç duhet ose nëse shpallet e papranueshme?
Nuk ekziston një përgjigje automatike në favor të familjeve. Mungesa e një vendimi kushtetues nuk do të thotë se ligji është rrëzuar, por as se gjykata ka pranuar interpretimin e PDK-së. Për të prodhuar ndryshim në një çështje konkrete, duhet të sqarohet se cilat dispozita zbatohen dhe çfarë pasoje sjellin. Dënimet nuk shkurtohen vetëm sepse Kuvendi ka përfunduar votimin.
Kjo nuk do të thotë se çdo ndryshim është i padobishëm. Do të thotë se secili propozim duhet të shoqërohet me një shpjegim të ndershëm për atë që mund të arrijë, pengesat që ka përpara dhe pasiguritë që mbeten. Pikërisht këtë sqarim ua kanë borxh familjeve.
Sepse familjet nuk po presin një fitore parlamentare. Po presin të kuptojnë nëse ekziston një rrugë reale që mund të ndryshojë fatin e njerëzve të tyre. T’ua paraqesësh një mundësi të diskutueshme si rezultat të sigurt do të thotë t’i ngarkosh me një pritje të re, përgjegjësinë për dështimin e së cilës pastaj askush nuk do ta marrë.
Edhe kthimi i çështjeve në Prishtinë kërkon më shumë se një fjali në ligj. Duhet të jetë e qartë kush do t’i gjykojë, mbi çfarë kompetence dhe si do të trajtohen vendimet ekzistuese. Pa këto përgjigje, premtimi mbetet politik.
Prandaj, energjia institucionale duhet të matet edhe me mbështetjen konkrete për mbrojtjen, analizën e aktgjykimit dhe argumentet që mund të kenë peshë në apel. Familjet duhet të shohin çfarë po bëhet dhe çfarë mund të arrihet.
Prandaj, PDK-ja dhe deputetët duhet të paraqesin edhe rrugën pas miratimit. Kush do ta kërkojë zbatimin, për cilat çështje dhe çfarë bëhet nëse kërkesa refuzohet? Pa këto përgjigje, ata kanë një nismë politike, por ende nuk kanë një zgjidhje të provuar.
Nëse synimi është të shprehet kundërshtim ndaj Gjykatës Speciale, një deklaratë politike e qartë do të ishte më e ndershme. Edhe një “zhbërje” e mundshme duhet të shpjegohet, sepse ajo nuk i zhbën vendimet gjyqësore.
Familjeve u detyrohemi përpjekje serioze dhe të vërtetën për kufijtë e tyre. Shpresa nuk mund të jetë pjesa që partitë fitojnë nga votimi dhe familjet humbin pas tij.