Komisioni për Legjislacion sot shqyrton projektligjin për Specialen

Sot nga ora 08:00 do të mblidhet Komisioni për Legjislacion, i cili në rend të ditës do të ketë shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur, dje, kryetari i Komisionit për Legjislacion, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, përmes një postimi në Facebook.

“Të hënën, më 5 tetor 2026, në ora 08:00, në sallën N-10, do të mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion. Në rend të ditës është shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas ngarkimit të Komisionit me shqyrtimin e tij. Mbledhja do t’i kushtohet shqyrtimit të Projektligjit dhe aspekteve të tij juridike, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit. Ftohen deputetët dhe mediat që të marrin pjesë në këtë mbledhje!”, ka shkruar Qorrolli në Facebook.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se do të mbajë sot, më 5 tetor 2026, seancë të jashtëzakonshme plenare, duke filluar nga ora 09:00. Bëhet e ditur se në rendin e ditës janë 22 pika, ndër to ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, marrëveshje financiare, si dhe projektligje nga fusha e drejtësisë, energjisë e të tjera.