Francë, deri në 500 shkolla mbyllen të hënën për shkak të protestave të nxënësve

Deri në 500 shkolla në Francë mund të mbyllen pjesërisht ose plotësisht të hënën, pas përleshjeve të ditëve të fundit mes policisë dhe nxënësve protestues, ka bërë të ditur ministri francez i Arsimit, Edouard Geffray.

Sipas tij, mësimi do të pezullohet pjesërisht ose tërësisht në rreth 400 deri në 500 shkolla të mesme, pasi kushtet e sigurisë nuk janë përmbushur. Geffray tha gjithashtu se që nga fillimi i protestave, 24 shkolla janë djegur ose dëmtuar rëndë.

Mijëra nxënës kanë protestuar për kushtet në arsim, ndërsa protestat e nisura javën e kaluar janë përhapur nga Parisi edhe në qytete të tjera, përfshirë Montpellier, Nantes dhe Marseille.

Nxënësit kundërshtojnë mungesën e mësuesve, klasat e mbipopulluara dhe gjendjen e dobët të ndërtesave shkollore, shkruan BBC.

Ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin, tha të premten se 735 nga rreth 3,700 shkolla në Francë ishin prekur në një mënyrë apo tjetër nga protestat e dhunshme.

Ndërkohë, ministri i Arsimit paralajmëroi se numri i shkollave të prekura të hënën mund të jetë i ngjashëm me atë të së premtes, por premtoi një rikthim gradual dhe të pjesshëm të mësimit.

Geffray pretendoi se në protestat e nxënësve janë infiltruar edhe aktivistë, veçanërisht nga e majta ekstreme, të cilët sipas tij e kanë devijuar protestën dhe janë përfshirë në akte të dhunshme.