OBSH: Jetëgjatësia globale në nivelet para COVID-19

Jetëgjatësia globale është afër kthimit në nivelin e saj para pandemisë Covid-19, por perspektiva për vitet e jetuara në shëndet të mirë po rikuperohet më ngadalë, sipas të dhënave të fundit globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

”Jetëgjatësia globale arriti në 73,3 vite në vitin 2023, një shifër afër 73,4 viteve të regjistruara në vitin 2019, para pandemisë Covid-19”, sipas raportit vjetor të OBSH-së mbi statistikat globale të shëndetit.

Në vitin 2021, ajo kishte rënë në 71,5 vite.

“Të jetosh më gjatë është një nga sukseset e mëdha të shëndetit publik”, tha Alain Labrique, drejtor i Departamentit të të Dhënave, Shëndetit Digjital, Analitikës dhe Inteligjencës Artificiale të OBSH-së, në një deklaratë.

“Sfida tjetër është të sigurohet që këto vite shtesë të jetohen në shëndet të mirë, duke përshtatur sistemet shëndetësore për të përmbushur nevojat në ndryshim të popullatave”, shtoi ai.

Sipas organizatës së OKB-së, jetëgjatësia në vitet e shëndetshme është rikuperuar më ngadalë, duke arritur në 62,8 vite në vitin 2023, ende 0,4 vjet më e ulët se në vitin 2019.

Midis viteve 2000 dhe 2023, tregon OBSH-ja, Amerika pa rritjet më të mëdha në rrezikun e vdekshmërisë dhe humbjen e viteve të jetës së shëndetshme, ndërsa rajoni i Paqësorit Perëndimor përjetoi një “rënie të konsiderueshme”.

Në të njëjtën kohë, një trend themelor zbulon një mbizotërim në rritje të sëmundjeve jongjitëse (NCDs), të tilla si sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, diabeti dhe sëmundja e Alzheimerit, të cilat përbëjnë një përqindje në rritje të vdekjeve./atsh