Flakët përfshijnë 20 shtëpiza në kampingun “Bella Italia”, 24 persona të lënduar

Një zjarr i madh ka përfshirë në orët e para të mëngjesit të sotëm kampingun “Bella Italia” në Peschiera del Garda, në provincën e Veronës.

Alarmi është dhënë pak para orës 06:00, ndërsa ndërhyrja e forcave të emergjencës vijon ende, megjithëse flakët tashmë janë vënë nën kontroll.

Kampingun e frekuentonin turistë dhe në momentin e zjarrit kishte persona brenda.

Sipas të dhënave paraprake, flakët kanë përfshirë rreth 20 shtëpiza të lëvizshme.

Nga zjarri raportohet se janë lënduar 24 persona: një në gjendje të rëndë, i klasifikuar me kod të kuq, shtatë me kod të verdhë dhe 16 me kod të gjelbër.

Në operacionin e shpëtimit janë angazhuar rreth 20 zjarrfikës me pesë automjete, ndërsa shërbimi mjekësor i urgjencës Suem 118 ka ndërhyrë me gjashtë automjete.  /atsh