Berisha: Bizneset janë në krizë të madhe, jemi në prag të falimentimit

Kryetari i Shoqatës së Gurthyesve të Kosovës në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Gëzon Berisha, ka deklaruar se bizneset në Kosovë po përballen me një krizë të thellë, duke theksuar se vështirësitë janë shtuar si pasojë e inflacionit, shtrenjtimit të derivateve të naftës dhe energjisë elektrike, por edhe për shkak të mos-harmonizimit të ligjeve.

Berisha ka thënë se situata është rënduar deri në atë pikë sa, sipas tij, bizneset janë në prag të falimentimit për shkak të krizave të njëpasnjëshme.

“Realisht, bizneset janë në një krizë që mundem me thënë që nga paslufta nuk kanë qenë asnjëherë në krizë më të madhe, që janë të thelluar krejt, duke pasur parasysh që edhe shtrenjtimi edhe inflacioni është shumë i madh, shtrenjtimin e derivateve të naftës që është lënda kryesore për ne, shtrenjtimin e energjisë elektrike. Ne jemi duke u përballë edhe me shumë vështirësi mos harmonizimin e ligjeve që janë edhe ajo që ka ndikuar shumë tek ne, domethënë na e ka vështirësuar punën, është shumë sa që jemi mundem me thënë me plot kuptimin e fjalës që jemi në prag të falimentimit, për shkak të krizave njëpasnjëshme që na kanë ardhur”, tha ai.

Ai ka deklaruar se viti 2026 është vit krize për bizneset dhe se pasojat e kësaj situate, sipas tij, do të reflektohen edhe gjatë vitit 2027.

Berisha i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti  që të takohet me përfaqësuesit e bizneseve për të diskutuar për zgjidhjen e problemeve me të cilat po përballen.

“Po realisht, jo me fitim shumë të lartë, po as me fitim të ulët. Është viti, domethënë 2026 është një vit, një vit krize që mund, unë mund me thënë që ka me reflektuar edhe në vitin 2027 kanë me qenë pasojat shumë të mëdha. E kisha bërë thirrje edhe kryeministrit edhe qeverisë që të merret me neve, të na pret në takim, të bisedojmë rreth zgjidhjes së ngërçit, sepse ekonomia e Kosovës është në një ngërç shumë të madh, domethënë që më herët nuk ka qenë kështu, po për shkak të shumë vështirësive që janë akumuluar, jemi në krizë, me të vërtetë në një krizë shumë të madhe e kisha kërkuar që edhe kryeministri me u marrë më tepër me neve”, tha ai.

Kryetari i Shoqatës së Gurthyesve ka folur edhe për problemet me legjislacionin, veçanërisht në sektorin e minierave dhe mineraleve, ku ka thënë se bizneset kanë vite që përballen me mungesë licencash, lejesh dhe vendimesh.

“Po fillimisht, përveç krizës dhe inflacionit të madh, ne kemi probleme edhe shumë, edhe me ligje që i kemi domethënë pa u harmonizuar e që jemi, po flas tash edhe për sektorin e minierave, mineraleve që i përkas këtij sektori, domethënë, kemi me vite jemi pa licencë, domethënë pa leje, pa vendime e që na e ka vështirësuar punën për shkak që mos-harmonizimi i ligjeve, janë disa ligje që nuk harmonizohen njëra me tjetrën edhe ne po i vuajmë pasojat”, tha Berisha për Ekonomia Online.

Sipas Berishës, Qeveria duhet të merret më seriozisht me problemet e bizneseve, duke e konsideruar ekonominë si shtyllën kryesore të shtetit dhe burim të të hyrave në buxhet.

“Domethënë kisha kërkuar që në këtë rast qeveria me u marrë shumë më seriozisht me neve, duke pasur parasysh që ekonomia është shtylla kryesore e shtetit, që e mbush buxhetin e shtetit, e mbush arkën e shtetit. Nëse ne nuk e zhvillojmë domethënë ekonominë, atëherë pasojat kanë me qenë shumë të mëdha edhe për, mundem me thënë edhe për egzistimin e një shteti, nëse s’kemi ekonomi të mirëfilltë, nëse s’kemi biznese, nëse nuk mbushet buxheti”, tha Berisha.

Berisha ka thënë se kompanitë marrin kredi nga bankat dhe këto mjete i investojnë në Kosovë, ndërsa përmes aktiviteteve të tyre kontribuojnë në buxhet përmes pagesës së tatimeve dhe doganave, si dhe punëtorëve përmes pagave.

Ai ka paralajmëruar se kriza aktuale po ua vështirëson bizneseve edhe shlyerjen e obligimeve financiare dhe tatimore, duke rritur rrezikun që kompanitë të përballen me probleme edhe më të mëdha.

“Se na, na secili, çdo kompani mundem me thënë që ka miliona e miliona kredi që ato, ato kredi që i marrim nga bankat ne i investojmë në Kosovë, paguajmë tatime, paguajmë dogana, paguajmë punëtorë, paga, edhe tash, me këtë krizë që na ka ardhur, e kemi domethënë vështirësi shumë të mëdha edhe, edhe në shlyerjen e obligimeve, në shlyerjen e tatimeve, në shlyerjen e kredive, saqë rrezikojmë me u fut të gjithë në listë të zezë edhe pastaj domethënë me, me arrit deri te, mos me thënë falimentimi i kompanive më të fuqishme që e mbajnë buxhetin e shtetit”, ka thënë ai.