Korçë: Gjashtë fëmijë përfundojnë në Pediatri, dyshohet nga ushqimi

Gjashtë fëmijë që frekuentojnë kopshtin “Palermoja” në Korçë janë paraqitur në spital, pasi dyshohet se kanë pësuar intoksikim nga ushqimi.

Fëmijët janë dërguar në repartin e Pediatrisë në Spitalin e Korçës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Sipas të dhënave paraprake, gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqitet e rëndë, shkruan A2CNN, transmeton Klankosova.tv.

Dyshimet e para lidhen me ushqimin e konsumuar në kopsht, ndërsa ende nuk është përcaktuar shkaku i saktë i shqetësimeve shëndetësore.

Policia shqiptare ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Në kuadër të verifikimeve pritet të kontrollohet ushqimi i konsumuar nga fëmijët, mënyra e përgatitjes dhe kushtet në të cilat ai është ruajtur dhe shërbyer.