Ragnick ankohet në fushën e “Fadil Vokrrit” para ndeshjes ndaj Kosovës

Përzgjedhësi i kombëtares austriake, Ralf Rangnick, u ankua për gjendjen e fushës në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë një ditë para ndeshjes së katërt të Ligës së Kombeve ndaj Kosovës.

Kosova e pret Austrinë të dielën nga ora 18:00 në “Fadil Vokrri” dhe sot (e shtunë), trajneri Ragnick ka folur në konferencë për këtë ndeshje.

Megjithatë, përzgjedhësi austriak e ka filluar me ankesa duke thënë se terreni i stadiumit është në gjendje katastrofike dhe kjo nuk i konvenon asnjërës skuadër.

"Fusha është në një gjendje katastrofike; rrallë jam stërvitur ndërkombëtarisht në një fushë kaq të keqe. Dhe nesër do të luajmë këtu", ka thënë fillimisht Ragnick në konferencë,

“Duhet të luajmë përsëri me intensitet të lartë për të rifituar shpesh posedimin e topit. Në këto kushte, do të jetë gjithashtu e rëndësishme të krijojmë mundësi shënimi. Kjo vlen për të dyja ekipet, por duhet ta them përsëri, rrallë kam përjetuar një fushë kaq të mirëmbajtur keq në 41 vjet”.

"Nuk do të ndryshojë shumë këtu deri nesër. Jam i lumtur që nuk do të luajmë këtu në nëntor. Por kjo ndikon në të dyja ekipet, dhe gjithashtu mendoj se një ekip me aftësi teknike si Kosova nuk i pëlqen të luajë këtu”, përfundoi përzgjedhësi i Austrisë. /telegrafi