Dëbimi nga Liga Premier nuk do të ishte lajmi i vetëm i keq për Man Cityn – shfaqet një tjetër problem serioz
Sipas Sky Sports, përfaqësues të disa klubeve të Championshipit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj mundësisë që Manchester City të zbresë në kategorinë e dytë të futbollit anglez, nëse klubi përjashtohet nga Liga Premier për shkak të shkeljeve të dyshuara financiare.
Një nga drejtorët e klubeve kryesuese të Championshipit ishte i drejtpërdrejtë, duke thënë se liga nuk do të kishte “absolutisht asnjë” përfitim nga pranimi i një skuadre që, sipas tij, do të ishte shumë më e fuqishme financiarisht se rivalët.
“Çfarë përfitimi do të kishte Championshipi nëse Manchester City do të zbriste aty? Absolutisht asnjë”, deklaroi drejtori i një klubi, i cili nuk u identifikua, për Sky Sports.
“Fuqia financiare është aq e madhe, saqë ata thjesht do ta dominonin Championshipin dhe do të riktheheshin menjëherë në Ligën Premier. Kjo do t’ua merrte një vend në ngjitje klubeve të tjera. Nuk ka asnjë klub tjetër në Championship që mund ta përballojë atë nivel pasurie”, shtoi ai.
Një tjetër drejtues klubi në Championship theksoi se çdo vendim për sanksionet ndaj Manchester Cityt duhet të marrë parasysh të gjithë piramidën e futbollit anglez dhe jo vetëm Ligën Premier.
“Nuk duhet të ndodhë që, nëse përjashtohen nga Liga Premier, ata thjesht të mund të bashkohen me Championshipin. Këtë duhet ta vendosim ne. Ata duhet ta fitojnë rrugën e tyre për t’u rikthyer në futbollin elitar anglez”, u shpreh ai.
Megjithatë, edhe nëse Manchester City shpallet fajtor për 114 shkeljet financiare pas procesit të apelimit, përjashtimi i klubit nga Liga Premier nuk do të ishte automatik.
Sipas raportimit, një vendim i tillë do të kërkonte votën e 15 klubeve të Ligës Premier në një mbledhje të aksionarëve. Aktualisht nuk ka garanci se klubet e elitës do të ishin të gatshme të mbështesnin një masë të tillë.