OVL e UÇK-së kërkon amendament për ndalimin e rihapjes së rasteve të gjykuara

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që në kuadër të Projektligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të përfshihet një amendament që do të ndalonte rihapjen e çështjeve dhe procedurave për të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore të shqyrtuara dhe gjykuara përfundimisht nga Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), UNMIK-u, EULEX-i apo gjykata të tjera kompetente.

Në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit, shefave të grupeve parlamentare dhe deputetëve, OVL-UÇK ka argumentuar se një dispozitë e tillë do të garantonte sigurinë juridike dhe respektimin e parimit ne bis in idem.

“Konsiderojmë se një garanci e tillë ligjore është e domosdoshme për të siguruar parimin e sigurisë juridike dhe respektimin e parimit ne bis in idem, sipas të cilit askush nuk duhet të përballet në mënyrë të përsëritur me procedura penale për të njëjtat fakte dhe rrethana për të cilat ekziston një vendim përfundimtar i një organi gjyqësor kompetent”, thuhet në kërkesën e OVL-UÇK-së.

Sipas organizatës, kjo çështje është e rëndësishme pasi, siç thuhet në kërkesë, ish-udhëheqësit e UÇK-së janë shpallur fajtorë në shkallën e parë për raste që, sipas OVL-UÇK-së, janë gjykuar më herët në procese të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

“Për këtë arsye është e nevojshme që kuadri ligjor të sigurojë qartë se ndryshimi i cilësimit juridik apo i formulimit të një akuze nuk mund të përdoret si bazë për të ricikluar të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore që tashmë janë shqyrtuar dhe janë bërë objekt i një vendimi përfundimtar”, thuhet më tej.

OVL-UÇK i ka bërë thirrje Kuvendit dhe deputetëve që këtë çështje ta adresojnë përmes një dispozite të veçantë në Projektligj, duke kërkuar garantimin e sigurisë juridike, barazisë para ligjit dhe të drejtës për një proces të drejtë.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së beson se një garanci e tillë është e rëndësishme jo vetëm për ish-udhëheqësit e UÇK-së, por edhe për forcimin e sundimit të ligjit dhe besimit në institucionet e drejtësisë”, thuhet në kërkesë.

Në fund, OVL-UÇK ka kërkuar që çështja të trajtohet me seriozitet dhe urgjencë dhe amendamenti përkatës të përfshihet në ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara.