LDK-ja përkujton veprimtarin dhe ish-kryetarin e Mitrovicës, Faruk Spahija
Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkujtuar veprimtarin dhe ish-kryetarin e Mitrovicës, Faruk Spahija, në 21-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Në njoftimin e LDK-së, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot kujtohet me respekt, nderim dhe mirënjohje të thellë jeta dhe vepra e Spahijës.
“Sot, më 3 tetor, kujtojmë me respekt, nderim dhe mirënjohje të thellë jetën dhe veprën e intelektualit, veprimtarit dhe udhëheqësit të shquar, Faruk Spahija”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Sipas LDK-së, Faruk Spahija i përket brezit të njerëzve që në periudhat më të vështira të historisë zgjodhën të qëndrojnë në anën e lirisë, demokracisë dhe shtetndërtimit.
“Me urtësi, përkushtim dhe përgjegjësi qytetare, ai dha një kontribut të çmuar në rrugëtimin politik të Kosovës dhe veçanërisht të Mitrovicës”, ka thënë Abdixhiku, sipas LDK-së.
LDK-ja ka theksuar se Spahija ishte ndër themeluesit e kësaj partie në Mitrovicë dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Ibrahim Rugova.
“I rritur në një familje me traditë të fortë atdhetare, Faruku ishte ndër themeluesit e LDK-së në Mitrovicë dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Besnikëria e tij ndaj vlerave demokratike, vizionit politik të Presidentit Rugova dhe interesit të përgjithshëm e bënë atë një figurë të respektuar në LDK dhe një udhëheqës të çmuar nga qytetarët e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
LDK-ja ka kujtuar se Spahija ishte zgjedhur dy herë në krye të Komunës së Mitrovicës.
“Besimi i qytetarëve të Mitrovicës, i dëshmuar dy herë me zgjedhjen e tij në krye të komunës, ishte vlerësim për integritetin, punën dhe përkushtimin e tij. Ndarja e parakohshme nga jeta nuk e lejoi ta përfundonte mandatin e dytë, por puna dhe trashëgimia e tij mbetën pjesë e historisë politike dhe qytetare të Mitrovicës”, ka thënë Abdixhiku, sipas LDK-së.
Sipas LDK-së, 21 vjet pas ndarjes nga jeta, Spahija kujtohet si “një burrë i urtë, i ndershëm dhe i përkushtuar”.
“Sot, 21 vjet pas ndarjes së tij nga jeta, Faruk Spahija kujtohet si një burrë i urtë, i ndershëm dhe i përkushtuar, që shërbimin publik e kuptoi si përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe vendit. Vepra e tij mbetet pjesë e kujtesës sonë dhe e historisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
“Në këtë përvjetor, shprehim nderimin tonë për figurën dhe kontributin e Faruk Spahisë, si dhe mirënjohjen për gjithçka që ai bëri për Mitrovicën dhe Kosovën. Lavdi jetës dhe veprës së Faruk Spahija!”, ka përfunduar Abdixhiku, sipas LDK-së.