Protesta masive të nxënësve në Francë: Mbi 5 mijë të arrestuar
Maisa, një 17-vjeçare nga një periferi e varfër e Parisit, e cila dëshiron të bëhet mësuese e gjuhës angleze, iu bashkua këtë javë dhjetëra mijëra nxënësve dhe mbështetësve të tyre në protestat që u përhapën në të gjithë Francën, për shkak të gjendjes së amortizuar të shkollave, mbipopullimit të klasave dhe mungesës së mësuesve.
Në shkollën e mesme “Le Corbusier” në Aubervilliers, një periferi në veri të Parisit, në departamentin Seine-Saint-Denis, protestuesit thanë se shkollat në lagjet e varfra, si e tyre, përballen me kushtet më të këqija, shkruan Reuters, transmeton klankosova.tv.
“Vitin e kaluar e dhashë provimin e frëngjishtes për shkollën e mesme pa pasur mësues të frëngjishtes, ndërsa mësuesit kanë një ndikim shumë të madh”, tha Maisa.“Këto nuk janë kushte për të mësuar.”
Ndërsa protestat u zhvilluan këtë javë në më shumë se 1,200 shkolla të mesme në Francë, në disa raste policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome. Më shumë se 5,000 persona u arrestuan, ndërsa disa protestues pësuan lëndime serioze, përfshirë dëmtime të syve, thyerje të dhëmbëve dhe goditje në kokë.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, e cilësoi situatën si një “klimë dhune të papranueshme” dhe bëri thirrje për vendosjen e rendit.
Amelia, 15 vjeçe, iu bashkua Maisas në turmën para portave të shkollës dhe mbante një pankartë ku shkruhej: “Adresa jonë nuk duhet ta përcaktojë të ardhmen tonë”.
Ajo tha se po protestonte për të kërkuar të njëjtat të drejta si nxënësit në pjesët e tjera të vendit.“Autoritetet e arsimit nuk po investojnë mjaftueshëm në periferi. Është diskriminuese në aspektin klasor dhe racist”, tha ajo.
Ulysse Rabate, politolog në Universitetin Paris 8, tha se protestat tregojnë se si lagjet urbane të margjinalizuara të Francës po ndikojnë gjithnjë e më shumë në politikën kombëtare.
“Kur ka një kolaps të shërbimit publik, të arsimit publik, ata që e ndiejnë më së shumti dhe në mënyrën më të dhimbshme janë ata që ndodhen në fund të shoqërisë”, tha ai.