Ekstradohet nga Gjermania në Kosovë i kërkuari me letër-rreshtim ndërkombëtar

Një shtetas kosovar i kërkuar nga drejtësia e Kosovës për veprën penale “Dhunë në familje” është ekstraduar nga Gjermania në Kosovë, pasi ishte arrestuar nga autoritetet gjermane në bazë të një letër-rreshtimi ndërkombëtar të lëshuar përmes INTERPOL-it.

“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më 02.10.2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar B.H., nga Gjermania për në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas policisë, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane pasi “kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale ‘Dhunë në familje’”.

“Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Gjermanisë”, thuhet më tej në njoftim.

Pas ekstradimit, i dyshuari “u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë rajoni i Gjakovës për vazhdim me procedurat tjera ligjore”, njoftoi Policia e Kosovës.