Edhe katër ditë afat për zgjedhjen e Presidentit
Kanë mbetur edhe katër ditë deri në përfundimin e afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Zhvillimet politike të së premtes u fokusuan te përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje mes partive, por takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, përfundoi pa marrëveshje.
Hamza tha se PDK-ja e konsideron miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara si të domosdoshëm dhe se vetëm pas procedimit dhe aprovimit të tij në Kuvend është e hapur për diskutime për zgjedhjen e Presidentit.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës të premten në mbrëmje miratoi vendimin lidhur me nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke konstatuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e saj.
Tash, çështja e ndryshimeve të propozuara për Specialen pritet të kalojë në Kuvend, ndërsa koha për zgjedhjen e Presidentit po ngushtohet.
Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar që partitë parlamentare t’i përqendrojnë përpjekjet në zgjedhjen dhe betimin e Presidentit para 4 tetorit. Sipas KDI-së, më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës nga Albulena Haxhiu, ndërsa 6 tetori është afati përfundimtar i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Partitë kanë edhe katër ditë në dispozicion për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e kreut të shtetit./rtk