Rritet përdorimi i cigareve nga të rinjtë

 

Cigaret elektronike, qeset me nikotinë dhe produktet e duhanit me ngrohje po përdoren gjithnjë e më shumë nga të rinjtë. Të dhënat e prezantuara në një tryezë për shëndetin publik tregojnë shifra shqetësuese të konsumimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës nga nxënësit. Në fokus u vunë edhe mungesa e kufizimeve të qarta për shitjen e tyre pranë institucioneve arsimore, pasojat shëndetësore dhe nevoja për forcimin e kuadrit ligjor.

Përdorimi i cigareve elektronike, qeseve me nikotinë dhe produkteve të duhanit me ngrohje nga të rinjtë, si dhe mungesa e kufizimeve të qarta për shitjen e tyre pranë institucioneve arsimore, ishin ndër çështjet e ngritura në këtë tryezë.

Sipas të dhënave të prezantuara në këtë takim, një pjesë e konsiderueshme e nxënësve të anketuar kanë konsumuar produkte të duhanit ose nikotinës.

“Diku mbi 23 për qind e nxënësve të anketuar përdorin produktet e duhanit. Mbi 27 për qind përdorin cigare elektronike. Mbi 47 për qind e fëmijëve dhe nxënësve të anketuar tregojnë se të paktën një herë kanë konsumuar duhan”, tha Bardh Ahmeti, shef i kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë.

 Shqetësimi, sipas pjesëmarrësve, lidhet veçanërisht me ekspozimin e hershëm të të rinjve ndaj nikotinës dhe pasojat që përdorimi i duhanit mund të ketë në shëndet.

“Duhani merret si faktori kryesor në shkaktimin e sëmundjeve të ndryshme kronike, duke filluar prej kancereve të ndryshme sidomos kancerit të mushkrive”, tha Isme Humolli, udhëheqëse e Zyrës së OBSH-së në Kosovë.

 Edhe të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës flasin për një rritje të sëmundjeve kronike jongjitëse.

 “Një raport që e ka bërë IKSHPK-ja vitin e kaluar, i cili ka analizuar sëmundjet kronike jongjitëse për vitet 2023 dhe 2024, ka gjetur se ka pasur një rritje prej 5.5 për qind të sëmundjeve kronike jongjitëse. Faktori i përbashkët është duhani”, tha Faik Hoti nga  IKSHPK.

 Në takim u kërkua që të adresohen edhe zbrazëtirat ligjore që lidhen me produktet e reja të duhanit dhe nikotinës, me synim forcimin e masave për mbrojtjen e shëndetit publik dhe veçanërisht të të rinjve.