Futbolli kosovar është goditur nga një “tërmet” i fortë
Futbolli kosovar është goditur nga një "tërmet" i fortë kohëve të fundit. Pas ankesave dhe akuzave të fundit të rënda të Ballkanit e Llapit, kjo "furtunë" ka kaluar edhe më lartë - në Kombëtaren e Kosovës.
Amir Rrahmani doli hapur me një letër duke zbuluar se ka probleme qe disa vite brenda Kombëtares dhe me Federatën, ndërsa Florent Hadërgjonaj u largua shkaku i "situatës së krijuar" dhe mungesës së hapësirës.
Krejt këto, dhe probleme të tjera që s'kanë dalë ende në publik kanë ndikuar edhe në rezultatet dhe paraqitjen e Kombëtares, e cila na dëshpëroi në dy ndeshjet e fundit.
Nëse nuk je në gjendje ta mundësh një Izrael, çka pret më shumë? Por, situata është më thellë, fajin kryesor nuk e kanë lojtarët.
Si mund ta humbësh një Amir Rrahman, një djalë dukat të dalë nga futbolli i Kosovës, i cili me shumë mund, djersë e sakrificë ka arritur deri këtu ku është sot.
Po Edoni? Një tjetër diamant që s'po çmohet aspak, duke u lënë rezervist fiks në periudhën kur e ka rikthyer formën optimale te Juventusi. Edhe ai dikur kishte probleme me këtë udhëheqësi të kalbur të futbollit kosovar.
Nëse kthehemi prapa, e kemi Bersant Celinën e dëshpëruar dhe të zhgënjyer. Një lojtar që erdhi te Kosova kur ishte në Manchester City, duke hequr dorë nga një Kombëtare tjetër.
Po Arbër Zeneli? E humbi karrierën për Kombëtaren e Kosovës, e në fund si e trajtuam? A u kujtua dikush për të? E humbëm edhe vëllain e tij, Besfortin. Pse duhet të vinte te Kosova duke e ditur se mund të përfundonte si vëllai i tij!?
Si po guxoni të luani me këta djem të artë? Kush ua dha këtë të drejtë? A ua ka lënë dikush Federatën me tapi?
Tash ka nisur ta humb udhën në oborr edhe trajneri Franco Foda, të cilin duket se e lartësuam më shumë se që duhej.
Nëse e ka ndërmend të bëjë eksperimente në këto ndeshje, le të na tregojë ky zotëri dhe të mos i hamë thonjtë nga stresi e nervoza, e më pas të na kaplojë edhe mllefi e mërzia për rezultatet e dobëta.
Loja me Austrinë do të jetë një test për të, që ta dimë se ku në të vërtetë jemi. Mua më dhemb kur e shoh kështu Kombëtaren e Kosovës.
Më dhemb edhe kur më shkon në mendje që loja me Maqedoninë e Veriut u humb pasi ishte me marrëveshje që të humbej, dhe kur e lëshuam një tjetër rast jetësor kundër Turqisë së fundmi. Këto mundësi nuk bën kurrsesi të lëshohen, o zotërinj, se s'vijnë çdo ditë.
Po tifozët? Pse stadiumi kur luan Kosova i ngjason një teatri? Ku janë Plisat e zhurmshëm që e dridhin stadiumin? Ku janë tifozët e qyteteve të tjera? A janë Dardanët veç të një lagjeje të Prishtinës!? Pse mungojnë tifozët e Mitrovicës, Prizrenit, Pejës, Gjakovës e të qyteteve të tjera?
Le t'i marrin Dardanët 80% të biletave, po veç le të shpërndahen ato me meritokraci. Le të jenë prezentë në stadium tifozët që bëjnë atmosferë, që të ndihmojnë ta fitosh lojën, ata që quhen lojtari i 12-të, e jo ata që s'e dinë as çfarë ngjyra i ka fanellat Kosova dhe se kush është trajner i Kosovës.
Boll më me keqpërdorime të biletave. Boll më me shitjen e tyre në të zezën nga "pijunët" dhe servilët e kryetarit. Milionat po keqpërdoren, ku është prokuroria, ku është shteti, ku është Ministria e Sportit? O ju gjykata, a s'ju mjaftojnë lëndët e këtij njeriu për të intervenuar?
Po kryetarët e Komunave, që ia bëjnë "amin" dhe bëjnë foto e mburren karshi një njeriu që i bën për vete me një fushë me bar sintetik, i cili po hiqet masivisht në Evropë pasi ka rrezikshmëri për pasoja kancerogjene.
Nëse mendoni se kam synim të bëhem kryetar i Federatës, e keni shumë gabim. Jam gati ta jap kontributin tim për vendin tim falë përvojës shumëvjeçare në futboll dhe në biznes, me këshilla dhe takime të ndryshme që do t'i bëja në vendet ku kam miq e dashamirë, por edhe bashkëpunëtorë, por assesi nuk synoj të jem në krye të Federatës.
Ajo tashmë është e kapur nga një njeri, i cili e ka edhe rrethin e keq dhe këshilltarët e padishëm e me afat të skaduar.
Po klubet? Pse shukasin klubet? A janë të gjitha të kapura dhe me gojën mbyllur? Pse nuk bëheni burra ju drejtues të klubeve dhe t'i tregoni problemet e parregullsitë? Pse e jepni votën veç "për të mos u ndarë delja prej kopesë"? A po i frikësoheni hakmarrjes së një njeriu?
Po ju gjenerata e artë dhe trajnera? Edhe juve ua mbylli gojën kryetari? Pse nuk ia ndërroni emrin Federatës, pse nuk e quani FFA - Federata e Futbollit të Agimit?
Unë dua ta shijoj futbollin prej jashtë tij, pas kontributit që e dhashë për më shumë se dy dekada.
E lash në duar të sigurta klubin më të madh në Kosovë, FC Prishtinën, të cilit ia solla 17 trofe.
I solla te FC Prishtina legjendat e futbollit, si trajnerë e si drejtorë.
Ia sigurova FC Prishtinës 10 hektarë tokë, ia sigurova shtëpinë e re të përhershme, edhe pse gjysma e kësaj hapësire u vodh pikërisht nga ky prijës i Federatës.
E lash trashëgimi dhe ia bëra dhuratë sportit kosovar Ligjin e Sponsorizimit, nga i cili po mbahen klubet. Ruajeni këtë Ligj dhe respektojeni e vlerësojeni, pasi klubet do të shuheshin pa funksionimin e tij.
Bashkë me kryesuesin Nait Hasani, pastaj Bekim Haxhiu, Shpejtim Bulliqi, Ismajl Kurteshi, Teuta Haxhiu, Shukrije Bytyqi dhe Mufera Sinik, e sollëm modelin gjerman dhe nga ky Ligj tash e sa vite mbahen në këmbë klubet kosovare.
Për vendin tim, jam i gatshëm të kontribuoj me të gjitha forcat, në të gjitha mënyrat. Ama veç në mënyrë të pastër dhe me njerëz të pastër...
Punoni me nder e me djersë, o njerëz. Mos e fshihni të keqen, mos u shitni. Mos harroni, asgjë s'do të merrni me vete...