Shoqatat e dala nga lufta ndërpresin bashkëpunimin me Komunën e Drenasit, reagon Lladrovci

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega në Drenas, kanë ndërprerë bashkëpunimin me Komunën e Drenasit.

Shkak për këtë zhvillim thuhet të jetë mungesa e bashkëpunimit institucional nga Komuna dhe kryetari i saj, Ramiz Lladrovci.

Në njoftimin e tyre, OVL, SHFD dhe SHIL në Drenas shprehen se, për vite me radhë, nuk janë ftuar në aktivitete dhe mbledhje solemne për data të rëndësishme, përfshirë 17 Shkurtin, 5, 6 dhe 7 Marsin, si dhe 14 Qershorin – Ditën e Çlirimit.Ndaj këtij reagimi është deklaruar vetë kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka thënë se Komuna e ka vlerësuar dhe vazhdon ta vlerësojë kontributin e shoqatave të dala nga lufta.

“Kontributi i shoqatave të dala nga lufta çlirimtare, është vlerësuar nga Komuna e Drenasit. Unë e kam vlerësuar dhe vlerësoj secilën familje të dëshmorëve, martirëve dhe të pagjeturve, ashtu sikur edhe çdo invalid e veteran të UÇK-së”, ka thënë Lladrovci.

Ai ka theksuar se familjarët e dëshmorëve e martirëve, veteranët dhe invalidët e UÇK-së janë pjesë e jetës publike dhe institucionale të komunës.

“Megjithatë, shoqatat janë të ndara nga pushteti lokal, i zgjedhur nga vota e qytetarit”, ka deklaruar Lladrovci, duke shtuar se shoqatat që përfitojnë fonde publike i nënshtrohen procedurave të aplikimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes.

Sipas tij, shoqatat që nuk i respektojnë procedurat nuk kanë të drejtë të përfitojnë fonde publike për një kohë.Lladrovci ka thënë se i ka ndihmuar dhe përkrahur shoqatat e dala nga lufta, ndërsa ka mohuar se puna e komunës mund të ndikohet nga shoqatat apo individët.

“Shoqatat e dala nga lufta, nuk pres të jenë pjesë e agjendave të ndonjë individi apo grupi. Nuk i nënshtrohem shantazheve e as deklaratave nga fushatat politike”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Komuna ofron zyra falas për shoqatat e dala nga lufta dhe se e përkrah punën e tyre në promovimin e vlerave të luftës dhe mbrojtjen e kësaj kategorie.

“Unë bashkëpunoj dhe ofroj bashkëpunim për të gjitha shoqatat, ndërsa puna ime e bazuar në ligj, nuk mund të ndikohet nga shoqatat e as individët me motive tjera nga ato që publikisht përfaqësojnë”, ka përfunduar Lladrovci.