Kurti dhe ambasadori i ri francez diskutojnë për bashkëpunimin Kosovë-Francë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të premten në takim mirëseardhës ambasadorin e ri të Republikës së Francës në Kosovë, Jean-François Huchet.
Kurti i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Huchet dhe sukses në detyrën e re, ndërsa ka vlerësuar zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe rezultatet konkrete në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë takimit është diskutuar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në disa fusha, me theks të veçantë te Lojërat Mesdhetare 2030, infrastruktura, teknologjia dhe energjia.
Në takim është diskutuar edhe për rrugën evropiane të Kosovës dhe proceset integruese.
Kryeministri Kurti ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së mëtejshme të Francës në avancimin e Kosovës në këto procese.
Në fund, Kurti i ka uruar ambasadorit Huchet mandat të suksesshëm në Kosovë dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë gjatë mandatit të tij.