“Kosova KamerFest 2026” rikthehet me edicionin e 25-të, me artistë nga Kosova dhe bota

Me muzikë kamertale, artistë ndërkombëtarë dhe një program të pasur koncertal, sonte rikthehet “Kosova KamerFest” – Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Kamertale, në kuadër të platformës edukative koncertale “ArsKosova 2026”.

Këtë vit, festivali shënon edicionin e 25-të, i cili sjellë një program të veçantë me gjashtë koncerte, artistë nga Kosova dhe skena ndërkombëtare, bashkëpunime muzikore, si dhe masterklasa, duke krijuar një hapësirë për shkëmbim artistik dhe edukim muzikor.

Festivali hapet sonte, në orën 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare me koncertin solemn “Dritë dhe Hije / Licht und Schatten”, ku do të performojë TRIO AUREA nga Gjermania.

‘Kosova KamerFest 2026” do të zhvillohet nga 2 deri më 13 tetor 2026, duke shënuar një tjetër kapitull në historinë 25-vjeçare të këtij festivali dhe në promovimin e muzikës kamertale në Kosovë.