Rita Ora dhe bashkëshorti i saj mbyllin në heshtje kompaninë e tyre të prodhimit televiziv, mes një beteje ligjore të këngëtares me ish-menaxheren
Çifti themeloi në qershor të vitit 2024 kompaninë britanike “Dog Entertainment Ltd”, por vetëm dy vjet më vonë paraqiti dokumentet për mbylljen vullnetare të saj.
Kompania u shpërbë zyrtarisht në korrik, pa realizuar asnjë program televiziv, shkruan The Sun.
Megjithatë, këngëtarja e suksesshme dhe bashkëshorti i saj regjisor nuk duket se po përballen me vështirësi financiare.
Sipas llogarive të kompanisë “Rita’s Ora Live Ltd”, të dorëzuara në dhjetor, asaj i detyroheshin rreth 7.3 milionë funte (8.6 milionë euro) nga debitorët brenda 12 muajve të ardhshëm.
Ndërkohë, kompania tjetër e Ritës, “Ora Multi Services Ltd”, kishte për t’u arkëtuar rreth 12.3 milionë funte (14.4 milionë euro), përveç 2.4 milionë funteve (2.8 milionë euro) që i kishte tashmë në bankë.
Megjithatë, e njëjta kompani kishte detyrime prej 7.8 milionë funtesh (9.2 milionë euro) ndaj kreditorëve gjatë së njëjtës periudhë. Sipas llogarive, pas shlyerjes së këtyre detyrimeve, do t’i mbeteshin rreth 7 milionë funte (8.2 milionë euro) në bankë, duke e çuar pasurinë e kombinuar të saj në rreth 14 milionë funte (16.4 milionë euro).
Ndryshe paraqitet situata për kompaninë “Rora Properties Ltd”, e cila merret me pasuritë e paluajtshme të këngëtares.
Kompania raportoi në dhjetor të vitit 2025 borxhe afatshkurtra prej 6.54 milionë funtesh (7.7 milionë euro), ndërsa 3.5 milionë funte (4.1 milionë euro) të tjera ishin të detyruara në afat më të gjatë. Në total, këto detyrime ishin më shumë se 1 milion funte mbi vlerën e përgjithshme të pronave të investimit të kompanisë.
“The Sun” ka kontaktuar përfaqësuesit e Ritës për një koment lidhur me këto të dhëna.
Ndërkohë, këtë javë u bë e ditur se Rita Ora po përballet edhe me një proces gjyqësor, pasi ish-menaxherja e saj, Sarah Stennett, e ka paditur për 3.2 milionë funte (3.8 milionë euro).
Sarah, e cila luajti një rol të rëndësishëm në karrierën e Ritës pasi e menaxhoi atë që nga viti 2009, ka dorëzuar dokumente në Gjykatën e Lartë në Londër, ku pretendon se kompania e saj, “FAE Ventures”, i detyrohet miliona funte nga këngëtarja.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Rita dyshohet se ka shkelur kushtet e kontratës duke mos i kaluar kompanisë pjesën që i takonte nga të ardhurat e saj prej turneve dhe angazhimeve televizive.
Pjesa më e madhe e shumës së pretenduar si pagesë e papaguar arrin në pak më shumë se 1.7 milionë funte (2 milionë euro). Kompania e ish-menaxheres pretendon se kjo shumë është ulur përmes “zbritjeve të palejueshme” për shërbime profesionale, përfshirë reklamat, kontabilitetin dhe sigurimet.
Rita akuzohet gjithashtu se ka fshehur më shumë se 1.1 milionë funte (1.3 milionë euro) përmes mosraportimit të të ardhurave nga koncertet gjatë periudhës 2019–2020, kur ishte në turneun “Phoenix World Tour”. Ky turne përfshinte shtatë koncerte në arena në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe një performancë në “O2 Arena” në Londër.
Në dokumentet gjyqësore pretendohet se pagesat e komisioneve për kompaninë “FAE Ventures” “nuk morën parasysh disa të ardhura nga turneu” që Rita kishte marrë ose që ishin marrë në emër të saj gjatë asaj periudhe.
Dokumentet sugjerojnë gjithashtu se deri në 6 milionë funte (7 milionë euro) të ardhura nga këto koncerte dyshohet se nuk ishin përfshirë në deklaratat financiare.
Edhe angazhimet televizive të këngëtares janë pjesë e pretendimeve të ish-menaxheres. Kompania e Stennett pretendon se Rita nuk ka raportuar saktë të ardhurat e saj nga puna si anëtare e jurisë në programin “The Masked Singer”.
Sipas pretendimit, komisionet për sezonin e pestë të spektaklit të njohur të ITV-së janë paguar “mbi bazën e faturave që nuk pasqyronin saktë shumat ndaj të cilave e paditura kishte të drejtë sipas kontratës”.
Rita Ora ende nuk ka paraqitur zyrtarisht mbrojtjen e saj ndaj padisë.