Në Drenas, organizatat e dala nga lufta ndërpresin bashkëpunimin me Lladrovcin
Organizatat e dala nga lufta – Dega në Drenas kanë njoftuar se kanë ndërprerë bashkëpunimin institucional me Komunën e Drenasit dhe kryetarin Ramiz Lladrovci, duke e arsyetuar vendimin me, siç thonë, mungesën e vazhdueshme të bashkëpunimit dhe përkrahjes institucionale.
Në njoftimin e tyre thuhet se organizatat janë “të përjashtuara” nga aktivitetet komunale dhe se nuk kanë marrë mbështetje apo bashkëpunim, pavarësisht, sipas tyre, kërkesave të vazhdueshme, transmeton Zeri.info.
Ata pretendojnë se për vite me radhë nuk janë ftuar në aktivitetet dhe mbledhjet solemne për data të rëndësishme, duke përfshirë 17 Shkurtin, 5, 6 dhe 7 Marsin, si dhe 14 Qershorin – Ditën e Çlirimit të Drenasit.
Sipas organizatave, kërkesat dhe nevojat e adresuara në Komunë janë refuzuar ose kanë mbetur pa përgjigje.
Në njoftim thuhet gjithashtu se, ndërsa rreth 50 OJQ përfitojnë mbështetje të ndryshme nga Komuna e Drenasit, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së nuk kanë përfituar mbështetje, pavarësisht kërkesave të tyre.
“Kjo nuk është zgjedhja jonë, por pasojë e një mosbashkëpunimi të vazhdueshëm institucional”, thuhet në njoftim.
Organizatat u kanë kërkuar falje familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës, si dhe qytetarëve, duke theksuar se, sipas tyre, bashkëpunimi nuk mund të vazhdojë me një institucion që “në vend të mbështetjes, na pengon dhe na përjashton”. /Zëri