Aktakuzë ndaj një personi për kontrabandim me migrantë e falsifikim dokumentesh

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurit N.L., për veprën penale “Kontrabandim me migrantë”.

Sipas aktakuzës, nga një kohë e pacaktuar deri më 23 prill 2021, në Prishtinë, në bashkëkryerje me të akuzuarit F.K., F.K., B.B., B.S. dhe Xh.K., i pandehuri N.L. dyshohet se ka kryer veprën penale me qëllim të sigurimit të përfitimit financiar të kundërligjshëm, duke pasur rol edhe në prodhimin e dokumenteve personale të falsifikuara.

“I pandehuri N.L. akuzohet se, në bashkëkryerje, ka siguruar persona brenda Republikës së Kosovës dhe jashtë saj, të cilët kishin për qëllim migrimin nëpër vende të ndryshme të Evropës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas aktakuzës, ai dyshohet se ka pajisur qytetarë me dokumente të falsifikuara, të cilat ua ka dërguar fizikisht ose përmes shërbimeve postare, në këmbim të shumave të ndryshme të parave, deri në 5 mijë euro.