Brukseli ofron treg të përbashkët nëse vendet kandidate të BE-së “janë të gatshme njëmend”

Komisioni Evropian ka propozuar krijimin e një tregu të përbashkët për nëntë shtete kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Tregu parashihet në propozimin për ndryshimin e politikës së zgjerimit, në të cilin Radio Evropa e Lirë (REL) ka pasur qasje, dhe miratimi ose publikimi i të cilit pritet më 6 tetor, pas takimit njëjavor të Kolegjiumit të Komisionit Evropian në Strasburg.

Tregu i përbashkët për vendet kandidate përshkruhet si “instrumenti më i fuqishëm i bllokut për nxitjen e prosperitetit dhe konvergjencës ekonomike”.

Qasja në këtë treg, hapësira e përbashkët e BE-së në të cilën mallrat, shërbimet, njerëzit dhe kapitali qarkullojnë lirshëm, deri tani ka qenë plotësisht e mundur vetëm pas anëtarësimit formal.

Megjithatë, që këto propozime, ose disa prej tyre, të hyjnë në fuqi, nevojitet miratimi formal dhe pajtueshmëria e të gjitha shteteve anëtare të BE-së.

Dokumenti do të shërbejë si bazë për diskutimet strategjike ndërmjet liderëve të BE-së në samitin e ardhshëm, i cili do të mbahet më 15 dhe 16 tetor në Bruksel dhe do t’i kushtohet zgjerimit të BE-së.

Vendet kandidate janë: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Gjeorgjia, Turqia, Moldavia dhe Ukraina.

Treg përbashkët, por me kushte

Qasja në tregun e përbashkët nuk ofrohet automatikisht, por lidhet qartë me përparimin konkret të vendeve kandidate në procesin e reformave.

“Përparimi i krahasueshëm duhet të çojë në mundësi të krahasueshme”, thuhet, ndër të tjera, në draft-dokumentin e Komisionit Evropian.

Sipas dokumentit, instrumentet ekzistuese do të zgjeroheshin gradualisht, në përpjesëtim me shkallën në të cilën secili vend është realisht i gatshëm.

Dokumenti parashikon gjithashtu mekanizma mbrojtës kundër “ngecjes” në reforma, që do të thotë se qasja e fituar një herë nuk është domosdo e përhershme.

Megjithatë, dokumenti nuk përmban kritere të sakta, afate kohore apo rrethana të përcaktuara qartë se në cilat kushte qasja mund të pezullohet.

Çfarë ofrohet dhe çfarë ekziston tashmë?

Propozimet e reja të Komisionit Evropian parashikojnë përfshirjen e hershme të vendeve kandidate në sektorë të përzgjedhur, veçanërisht në fushën e teknologjive kritike, ekosistemeve industriale, integrimit financiar dhe zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit.

Propozohet gjithashtu pjesëmarrja në programin “Horizont Evropa”, programin kryesor të BE-së për financimin e kërkimit dhe inovacionit, si dhe në projekte të rëndësishme me interes të përbashkët evropian.

Megjithatë, disa nga ofertat në këtë dokument tashmë janë në dispozicion të vendeve kandidate dhe vendeve potenciale anëtare. Kjo, ndër të tjera, vlen për zonën e përbashkët të pagesave në euro (SEPA) dhe heqjen e tarifave të roamingut.

SEPA tashmë është në dispozicion për shumicën e vendeve kandidate. Pesë vende, Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, i janë bashkuar zyrtarisht SEPA-s.

Situatë e ngjashme është edhe me ofertën që lidhet me heqjen e tarifave të roamingut. Ukraina dhe Moldavia e përdorin këtë regjim që nga fillimi i këtij viti, ndërsa Komisioni Evropian planifikon që vitin e ardhshëm heqjen e tarifave ta zgjerojë edhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Cili është përfitimi nga tregu i përbashkët?

Përfitimet e integrimit evropian do të vinin shumë më herët se vetë anëtarësimi, thotë Korina Stratulat, zëvendësdrejtore në Qendrën për Politika Evropiane.

“Megjithatë, oferta duhet të jetë po aq e qartë sa edhe kushtet: çfarë qasjeje sigurojnë kandidatët, kur e sigurojnë atë dhe çfarë do ta justifikonte pezullimin e saj. Kandidatët duhet ta dinë se çfarë do t’u mundësojë përmbushja e kushteve, dhe jo vetëm se sa mund t’u kushtojë mos përmbushja e tyre”, thotë Stratulat për REL-in.

“Integrimi gradual duhet të mbetet rrugë drejt anëtarësimit, dhe jo një dhomë pritjeje e përhershme”, theksoi ajo.

Oferta për qasje në tregun e përbashkët lidhet gjithashtu me Marrëveshjen ekzistuese të Stabilizim-Asociimit (MSA), të cilën secili vend kandidat e ka me Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje përbën kornizën ligjore për afrimin gradual të vendeve kandidate me tregun e përbashkët.

Të dyja sistemet bazohen në heqjen e pengesave tregtare, përafrimin e rregullave dhe standardeve me rregullat e BE-së dhe përfshirjen graduale të vendeve kandidate në hapësirën ekonomike evropiane.

MSA-ja u mundëson kështu vendeve kandidate që, edhe para anëtarësimit të plotë, të përfitojnë nga një pjesë e përfitimeve ekonomike të integrimit, ndërsa njëkohësisht i përgatit ato për integrimin e plotë në tregun e përbashkët.

Çfarë tjetër ofrohet?

Qasja në tregun e përbashkët është vetëm një pjesë e dokumentit të gjerë, në të cilin Komisioni Evropian paraqet propozime të reja, nga të cilat del se vendet e ardhshme anëtare, në momentin e anëtarësimit, nuk do të gëzojnë domosdo të njëjtat të drejta si shtetet aktuale anëtare.

Elementi më i ndjeshëm i draftit lidhet me kufizimin e së drejtës së vetos, e cila në dokument përshkruhet në mënyrë simbolike si “angazhim i përkohshëm në lidhje me vendimmarrjen në Këshillin e BE-së dhe Këshillin Evropian”.

Sipas këtij propozimi, vendet e ardhshme anëtare do të angazhoheshin që të mos kundërshtonin vendimet e Këshillit në fushat ku kërkohet njëzëshmëri.

Shteteve anëtare u propozohet që në një numër të caktuar fushash, përfshirë zgjerimin, të kalojnë nga vendimmarrja unanime në vendimmarrje me shumicë të cilësuar.

Sipas propozimit, vendimet për hapjen ose mbylljen e kapitujve të negociatave do të merreshin me shumicë të cilësuar, ndërsa vendimi për pranimin e një anëtari të ri do të vazhdonte të merrej në mënyrë unanime.

Ku janë dobësitë e ofertës?

Në “çekuilibër”, është e bindur Korina Stratulat.

“Për kandidatët vendosen kushte të rrepta, ndërsa Bashkimit, në përgjithësi, i ofrohen mundësi dhe jo detyrime”, thekson Stratulat.

Ajo vlerëson se përdorimi më i mirë i marrëveshjeve ekzistuese ka kuptim, por vetëm renditja e instrumenteve nuk është e njëjtë me një detyrim që ato do të përdoren.

“BE-ja duhet të thotë se çfarë do të ndryshojë, kush do ta zbatojë dhe brenda cilit afat. Përndryshe, kushtet më të rrepta për anëtarësim rrezikojnë të bëhen zëvendësim për zgjidhjen e dobësive të vetë Bashkimit”, deklaroi ajo. /REL