Dogana e Kosovës dhe Gjykata e Apelit synojnë thellimin e bashkëpunimit
Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, është pritur në takim nga kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, ku është diskutuar për çështje me interes të përbashkët dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, gjatë takimit janë trajtuar tema që lidhen me punën, përgjegjësitë dhe zbatimin e detyrimeve ligjore nga të dy institucionet.
“Në fokus të takimit ishte edhe rëndësia e forcimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në drejtim të avancimit të komunikimit dhe koordinimit në çështjet me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.
Tutje, sipas njoftimit, Llugaliu dhe Totaj kanë vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional për zbatimin e drejtë dhe efikas të legjislacionit, si dhe për përmbushjen e përgjegjësive që burojnë nga mandatet ligjore të institucioneve.
Në përfundim të takimit, palët kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks në forcimin e koordinimit dhe komunikimit institucional.