Të dy koncertet e Kanye Westit me biletat e shitura në Rusi anulohen, simboli nazist dhe polemikat ndikuan në vendim

Dy koncertet e shitura tërësisht të reperit amerikan Kanye West, i cili tashmë performon me emrin Ye, në Shën Petersburg janë anuluar zyrtarisht pas disa javësh pasigurie dhe reagimesh publike, kanë konfirmuar organizatorët.

Reperi ishte planifikuar të performonte më 10 dhe 11 tetor në “Gazprom Arena”. Megjithatë, agjencia moskovite “Say Agency” njoftoi përmes Telegramit se koncertet nuk do të mbahen në datat e parashikuara.

“Me keqardhje të sinqertë ju njoftojmë se koncertet nuk mund të zhvillohen. Në të ardhmen e afërt do t’ju kontaktojmë me një deklaratë zyrtare lidhur me statusin e projektit dhe planet e ardhshme”, thuhej në njoftimin e organizatorëve, të cilët bënë të ditur se procesi i rimbursimit të biletave të blera do të nisë më 12 tetor.

Fati i koncerteve kishte qenë në pikëpyetje prej disa javësh. Ndonëse biletat ishin shitur me një ritëm rekord, drejtuesit e “Gazprom Arena” njoftuan papritur në gusht se kontrata e qirasë së stadiumit me promovuesit nuk ishte nënshkruar dhe se kishin pranuar një numër të madh ankesash nga qytetarët.

Përveç problemeve organizative, në anulimin e koncerteve ndikuan edhe reagimet e ashpra të zyrtarëve rusë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, i cilësoi të papranueshme koncertet e planifikuara, duke iu referuar deklaratave dhe veprimeve të mëparshme të reperit në lidhje me Adolf Hitlerin.

Ndërkohë, politikani rus Nikolai Novichkov kërkoi nisjen e një hetimi ndaj muzikantit, duke deklaruar se koncertet duhej të ndaloheshin, përveç nëse Ye do të shprehte publikisht “mbështetje morale për Rusinë dhe operacionin special ushtarak”.

West ka shkaktuar më herët reagime të mëdha ndërkombëtare pas shitjes së bluzave me simbolin e svastikës dhe publikimit të këngës “Heil Hitler”. Më vonë, ai kërkoi falje publikisht përmes një reklame të publikuar në “The Wall Street Journal”, duke pretenduar se sjellja e tij ishte ndikuar nga një episod i rëndë maniak i lidhur me çrregullimin bipolar.

Planifikimi i vizitës së yllit amerikan në Rusi kishte tërhequr vëmendje edhe për shkak të faktit se do të zhvillohej në një kohë kur shumë artistë dhe institucione kulturore kanë shmangur Rusinë pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

Rusia nuk është i vetmi vend ku Ye është përballur me pengesa për zhvillimin e koncerteve. Anulimi i dy performancave në Shën Petersburg vjen pas anulimit të disa prej koncerteve të tij në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë, të lidhura me çështje vizash dhe reagime publike. Në korrik, edhe prefekti i qytetit italian Reggio Emilia ndërhyri për të ndaluar një koncert të tij, pas një kërkese nga komuniteti lokal hebre.

Pavarësisht polemikave të shumta, West ka vazhduar aktivitetin koncertor në kuadër të promovimit të albumit të tij të 12-të solo, “Bully”, i publikuar në mars. Para anulimit të koncerteve në Rusi, reperi kishte mbajtur performanca në SHBA, Turqi, Holandë, Gjeorgji, Shqipëri, Portugali dhe Kazakistan.