Hamza: Aktgjykimi është i padrejtë, e dëmton historinë e Kosovës, do takohemi me Kurtin ditëve në vijim

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka cilësuar aktgjykimin e fundit si të padrejtë dhe të pabazuar në fakte, duke thënë se ai dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Këto deklarata Hamza i bëri në protestën e organizuar nga platforma “Liria ka emër”, ku tha se lufta në Kosovë ka qenë një luftë e imponuar dhe e organizuar nga populli, ndërsa e zbatuar përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Si liderë shtetëror, aktgjykimi është i padrejtë, është i pabazuar në fakte, është aktgjykim që e dëmton e çenon historinë e Kosovës, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës”, deklaroi Hamza.

Ai tha se lufta e UÇK-së ishte luftë e popullit të Kosovës dhe e cilësoi si të papranueshme që ajo të përkufizohet si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Lufta në Kosovë ka qenë luftë e imponuar, luftë e organizuar prej popullit, e zbatuar përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është populli i Kosovës dhe është absurd dhe e papranueshme që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e popullit të Kosovës të cilësohet si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’”, u shpreh ai.

Hamza foli edhe për mundësinë e bashkëpunimit politik për çështje që, sipas tij, kanë rëndësi të veçantë për shtetin e Kosovës, duke përmendur Ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Për tema të rëndësisë që kanë të bëjnë me themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, siç është Ligji për Dhomat e Specializuara, e pastaj që ndërlidhen edhe me tema tjera, gjithmonë jemi të gatshëm me dhënë kontributin tonë”, tha Hamza.

Sa i përket mundësisë së një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kreu i PDK-së tha se një gjë e tillë mund të ndodhë në një kohë të përshtatshme për të dyja palët, duke kujtuar se takime të tilla kanë pasur edhe në të kaluarën.

“Ne do të takohemi, nëse takohemi në një kohë të përshtatshme për të dyja palët. Jemi takuar edhe në të kaluarën dhe është mundësia që me u taku edhe në ditët në vijim”, deklaroi Hamza. /eo