Rubio urdhëroi delegacionin iranian të largohej nga SHBA-ja
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kërkoi në fillim të kësaj jave që delegacioni iranian në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – përfshirë ministrin e Jashtëm të Iranit – të largohej menjëherë nga vendi pasi negociatat kishin ngecur, raportoi Axios të enjten.
Raporti citonte një zyrtar amerikan dhe një burim të dytë të informuar mbi çështjen, duke shtuar se këto zhvillime ndodhën të hënën, shkruajnë mediat e huaja.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ishte ndër ata që u urdhëruan të largoheshin nga Nju Jorku, shtoi Axios.
“Sekretari Rubio dëboi delegacionin iranian, të cilëve u kishte kaluar koha e qëndrimit të lejuar. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte përfunduar, ndaj ishte koha që ata të largoheshin”, citohet të ketë thënë zyrtari amerikan.
Ndërmjetësuesit janë përpjekur të arrijnë një përparim diplomatik midis SHBA-së dhe Iranit, por kanë shënuar pak progres.
Raporti vuri në dukje se, megjithëse delegacioni iranian ka gjasa të largohej së shpejti, veprimi i Rubios përbënte një “qortim diplomatik të pazakontë” dhe pasqyronte tensionin midis dy vendeve.
“Të hënën në mëngjes, Shtëpia e Bardhë mendonte se mund të kishte përparim në bisedimet me Iranin më vonë gjatë ditës. Por, në orët e vona të pasdites, u bë e qartë se negociatat kishin ngecur”, pretendonte raporti.
Të hënën në mbrëmje, me urdhër të Rubios, misioni amerikan në OKB i komunikoi misionit iranian në OKB se delegacioni i Araghchi-t duhej të largohej menjëherë nga Nju Jorku, tha Axios duke cituar zyrtarin amerikan.
“Delegacioni iranian, përfshirë Araghchi-n, u nis për në aeroport disa orë më vonë dhe hipi në një aeroplan nga Nju Jorku për në Doha në orën 01:20 të së martës”.
Burimi i dytë konfirmoi se SHBA-të kërkoi largimin e delegacionit iranian, por tha se Araghchi ishte planifikuar gjithsesi të kthehej në Teheran të hënën në mbrëmje.
Axios raportoi se ndërmjetësuesit nga Katari po vazhdonin bisedimet me të dyja palët lidhur me propozimin e tyre për kompromis, sipas burimeve rajonale.
Kjo ndodh ndërsa presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me sulme të tjera kundër Iranit.
“Ndoshta do t’i hedh në erë”, u tha Trump gazetarëve të mërkurën, kur u pyet se si mund të arrijë një marrëveshje me një regjim që ai e quan të çmendur.
“Ndoshta do t’i hedh në erë. Duhet ta marrim atë vendim. Ose do t’i hedhim në erë, ose do të bëjmë marrëveshje. Por koha po afron. Gjithçka do të marrë fund shumë shpejt, në një mënyrë apo në një tjetër” /abcnews