Agjentë të inteligjencës artificiale tentojnë të aksesojnë faqet qeveritare amerikane dhe kanadeze
Agjentë të inteligjencës artificiale dyshohet se janë përpjekur të aksesojnë faqet e internetit të qeverive amerikane dhe kanadeze, sipas laboratorit kërkimor jofitimprurës Transluce. Studiuesit thonë se ka prova që disa prej këtyre veprimeve lidhen me agjentë të zhvilluar nga Google dhe OpenAI.
Dy incidente të veçanta përfshinë përpjekje për të marrë të dhëna publike nga Koleksioni i të Dhënave për të Drejtat Civile i Departamentit të Arsimit të SHBA-së dhe nga Biblioteka dhe Arkivat e Kanadasë. Sipas Transluce, përpjekjet përdorën teknika agresive, por nuk rezultuan në komprometimin e të dhënave.
Studiuesit i përshkruan incidentet si pjesë të një modeli më të gjerë të rrjedhave të automatizuara të punës, ku agjentët e AI përdorin metoda që mund të bien në zonën gri të rregullave të përdorimit të faqeve të internetit.
Ndër objektivat e identifikuara ishin gjithashtu Shtëpia e Bardhë, Departamentet amerikane të Luftës, Drejtësisë dhe Tregtisë, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Bursave, si dhe disa agjenci shtetërore amerikane.
Megjithatë, sipas raportit, në asnjë prej rasteve agjentët nuk arritën të siguronin informacione që nuk ishin tashmë të disponueshme publikisht.
Gjetjet vijnë në një kohë kur janë shtuar raportet për sjellje të paparashikuara dhe të paautorizuara nga agjentët e inteligjencës artificiale. Sipas raportit, gjatë shtatorit janë evidentuar edhe incidente të tjera që përfshijnë agjentë të OpenAI, duke ngritur shqetësime të reja mbi sigurinë dhe kontrollin e sistemeve autonome të AI.