LIVE | Mavraj: Kur kombi është në rrezik, dalim mbi fe e parti
Profesori dhe gazetari Muhamet Mavraj ka thënë se protestat e studentëve dhe qytetarëve në periudha të rëndësishme të historisë së Kosovës kanë bërë bashkë njerëzit, pavarësisht dallimeve politike e fetare.
Duke folur për protestat e vitit 1997, Mavraj tha se ato ishin pasojë e dështimit të politikës, ndërsa theksoi rolin e rinisë në reagimin ndaj situatave të tilla.
“Sa herë që kombi është në rrezik, do të dalim përmbi fe e përmbi parti. Sepse më të parën parti e kemi shqiptarinë dhe më të parën fe e kemi shqiptarinë. Në ’97-ën ka qenë pasojë e dështimit të politikës. Nuk ka qenë mania jonë për të dalë për të protestuar, por për këtë punë është rinia. Për këtë punë është edhe sot, për këtë punë do të jetë edhe nesër”, ka thënë ai.
Mavraj ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Hagë, duke thënë se pavarësisht asaj që ka ndodhur, qytetarët duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar.
“Kam menduar që 30-vjetori do të jetë më fitimprurës se ky. Por ja që ndodhi ajo që ndodhi atje në Hagë, jemi këtu, çka ka thënë Zoti mirë se ka ardhur e përballojmë edhe këtë. Por mos u gëzonit shumë ata që janë gëzuar, edhe mos u pikëlloni shumë këta që jeni hidhëruar, sepse jemi këtu”, ka shtuar ai.
Ai përmendi edhe protestat e vitit 1997 në shtatë qytete të Kosovës, duke thënë se ato mobilizuan një numër të madh qytetarësh dhe se zhvillimet e asaj kohe kontribuuan në forcimin e arsimit universitar pas luftës.
“Nuk ishte vetëm Prishtina. Shtatë qytetet e Kosovës kanë qenë në këmbë atë ditë, sepse në shtatë qendra kishim degë të Universitetit të Prishtinës dhe vetë Universitetin këtu. Një milion shqiptarë kemi qenë në këmbë atë ditë dhe miliona të tjerë anë e mbanë trojeve shqiptare e në diasporë. E këto shtatë qytete, kjo e djeshmja që po e mbrojmë sot, ndërtoi shtatë universitete”, ka deklaruar ndër të tjera Mavraj.
Në fjalimin e tij, Mavraj ka përmendur edhe zhvillimet pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke folur për, siç tha ai, projekte që synonin dobësimin e shtetësisë së Kosovës.
Mavraj ka folur gjithashtu për ish-prokurorin Clint Williamson dhe raportin e tij pas raportit të Dick Martyt, duke iu referuar edhe një përvoje personale që tha se kishte pasur me të në vitin 2002.
Nasim Haradinaj: Deputetë, ju thërrasim për bashkim, ndërkombëtarë, na e kthejeni besimin
Nasim Haradinaj, në fjalimin e tij në protestën kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës për bashkim.
“Ju 100 deputetët që jeni atje, ju thërrasim për bashkim, bashkim, bashkim”, tha Haradinaj.
Ai iu drejtua edhe komunitetit ndërkombëtar, duke thënë se, sipas tij, besimi i qytetarëve të Kosovës është dëmtuar.
“Ndërkombëtarëve që u besuam, na keni tradhtuar. Kthejani besimin, se do t’ju bie keq ju dhe neve. Nga këtu ju thërras, ne kërkojmë vetëm drejtësi dhe zbulim të krimeve, sepse shumë të tjerë po tentojnë ta keqpërdorin”, deklaroi Haradinaj.
Haradinaj tha se nuk pranon që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë të paraqiten si raste individuale.
“Ndërkombëtarë, nuk mund të na mashtroni se janë raste individuale. Nuk pranojmë të ofendohen 400 masakra, nuk pranojmë të ofendohen fëmijët tanë, gjaku ynë”, tha ai.
Në fund të fjalimit, Haradinaj e përmbylli me thirrjen: “Rroftë UÇK-ja!”. /Zëri
Vajza e mjekut të UÇK-së Lec Gradica: Nuk kërkojmë privilegj, kërkojmë drejtësi
Në protestën me moton “Jo në emrin tim”, të mbajtur në shesh kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka mbajtur fjalim edhe Lavdie Gradica, vajza e mjekut të rënë në luftë, Dr. Lec Gradica.
Gradica foli për babanë e saj, i cili gjatë luftës shërbeu si mjek dhe u angazhua në trajtimin e të plagosurve. Ajo rrëfeu për angazhimin e prindërve të saj gjatë vitit 1998 dhe për themelimin, sipas saj, të Spitalit Ushtarak të Gradicës.
“Sa krenare ndihem të flas para jush për pjesën më të lavdishme të historisë sonë, po aq dhimbje ndiej që, kaq vite pas luftës së lavdishme të UÇK-së, si popull ende po orvatemi t’i dëshmojmë botës se bijtë dhe bijat e kësaj toke, të cilët morën armët në dorë për të mbrojtur tokat tona, për të mbrojtur jetët tona dhe për të na sjellë lirinë, janë të pafajshëm”, tha ajo.
Ajo tregoi se Lec Gradica vazhdoi të shërbente si mjek në malet e Qyqavicës deri në rënien e tij më 24 shtator 1998.
“Babai im ishte mjek në luftë. Ishte aty për t’i shpëtuar jetët e të plagosurve, për t’i ndihmuar njerëzit dhe për t’i shërbyer popullit të tij. Edhe babi, si shumë liridashës dhe si mantelbardhë, iu përgjigj kushtrimit të atdheut qysh në ilegalitet, pa iu trembur syri”, u shpreh Gradica.
Duke folur për nënën e saj, ajo tha se familja e tyre u përball me humbje të mëdha gjatë luftës.
“Unë jam rritur me mungesën dhe dhimbjen e një familjeje që humbi figurën atërore. Por jam rritur edhe me krenarinë se ai zgjodhi të ishte aty ku Kosova kishte më së shumti nevojë për të”, tha ajo.
Gradica iu referua edhe aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, duke thënë se familjet e dëshmorëve dhe mbështetësit e tyre, sipas saj, nuk do të lejojnë që historia e luftës të rishkruhet apo shtrembërohet.
“Ne e respektojmë drejtësinë. Por drejtësia duhet të jetë e drejtë. Sot, nga ky shesh, dua t’u them atyre që janë në Hagë: ju nuk jeni vetëm. Pas jush janë familjet e atyre që u flijuan, pas jush janë fëmijët që u rritën pa prindërit e tyre, pas jush janë mijëra njerëz dhe gjithë populli liridashës që e kujton luftën e UÇK-së dhe sakrificën ndër shekuj”, deklaroi ajo.
Në fund të fjalimit, Gradica tha se kërkesa e familjeve të dëshmorëve dhe protestuesve nuk është për privilegj apo hakmarrje, por për drejtësi.
“Ne nuk kërkojmë privilegj. Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne kërkojmë drejtësi. Në emër të dëshmorëve, për familjet tona dhe për ju që sot prisni drejtësinë në Hagë. Duam drejtësi për çlirimtarët! Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën për atdheun!”, përfundoi ajo.
Syla nga protesta: Nuk kërkojmë favore, por drejtësi të pastër si loti
Nënkryetari i OVL UÇK-së, Gazmend Syla, ka mbajtur fjalim para protestuesve të mbledhur në shesh, duke kërkuar drejtësi për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Syla ka ngritur pikëpyetje rreth peshës që, sipas tij, u është dhënë dosjeve të Serbisë në proceset gjyqësore, krahasuar me dëshmitë e zyrtarëve amerikanë dhe anglezë.
“Si ka mundësi të jenë më të besueshme për këtë gjykatë dosjet e Serbisë, më shumë se dëshmitë e zyrtarëve amerikanë dhe anglezë. Kurrë nuk keni pasur dhe nuk do të keni aleatë më besnikë se ushtarët e UÇK-së”, tha Syla.
Ai nga sheshi u bëri thirrje, siç tha, botës demokratike për drejtësi, duke theksuar se nuk kërkojnë favore.
“Sot nga ky shesh i mbushur me zemra që rrahin për atdheun, i bëjmë thirrje gjithë botës demokratike. Ne nuk kërkojmë favore, por drejtësi të pastër si loti, sepse nuk ka gjykatë në këtë rruzull tokësor që mund ta zhbëjë të vërtetën e pastër, të gjakut tonë për liri”, u shpreh ai.
Tasholli: Jëmi mbledhur në shesh për UÇK-në, jo për parti e mitingje
Ismail Tasholli nga platforma “Liria Ka Emër”, ka folur para protestuesve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Tasholli tha se janë mbledhur sot për ish-krerët e UÇK-së, dhe jo për parti politike dhe mitingje, pasi siç tha ai, varri i dëshmorit dhe liria nuk kanë parti politike, transmeton Zeri.info.
“Jemi mbledhur këtu për ju, për UÇK-në, jemi bërë bashkë për të çuar një mesazh të rëndësishme, jo për partitë politike, jo për mitingjet e caktuara, jemi bërë bashkë për ju, sespe varri i dëshmorit nuk ka parti politike dhe liria nuk ka parti politike”, tha Tasholli. /Zëri
Nis protesta, mijëra zëra brohorasin “UÇK, UÇK”
Ka nisur protesta në Prishtinë, kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta në të cilën po marrin pjesë mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova, ka nisur me intonimin e himnit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, transmeton Zeri.info.
Në protestë janë parë edhe zyrtarët më të lartë të PDK-së.