Aktakuzë zyrtarit të Ministrisë së Mjedisit, Naser Hafizit dyshohet se i shkaktoi shtetit mbi 15.7 milionë euro dëm

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Naser Hafizi, për tri vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, shpëlarjen e parave dhe mosraportimin ose raportimin e rremë të pasurisë.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj I.B. për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës,Hafizi, gjatë viteve 2021–2023, në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që operatorëve ekonomikë, ambalazhues të ujit, t’u mundësojë përfitime të kundërligjshme pasurore.

Sipas Prokurorisë, veprimet e tij dyshohet se i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në shumën prej 15,752,486.07 euro, transmeton Zeri.info.

Ai akuzohet se nuk i ka dërguar të gjithë operatorët ekonomikë në vlerësim te Grupi Punues Ministror. Pas pranimit të raportit të këtij grupi, ai dyshohet se i ka selektuar operatorët në tri grupe, duke u mundësuar që detyrimet financiare të përcaktoheshin në bazë të raportimeve të tyre të paverifikuara.

Po ashtu, sipas aktakuzës, Hafizi nuk i ka zbatuar vlerësimet e Grupit Punues gjatë përcaktimit të borxheve të operatorëve, duke i zvogëluar detyrimet financiare për shfrytëzimin e ujit. /Zëri