“S’lirohen çlirimtarët me një ligj”, Kërçeli akuzon PDK-në se po e shfrytëzon çështjen për fushatë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka folur për nismën e PDK-së lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kërçeli ka thënë se projektligji aktualisht nuk ndodhet në Kuvend, por në Qeveri, e cila, sipas tij, ka afat për ta trajtuar dhe më pas për ta proceduar në Kuvend.
“Ligji për amnistinë nuk është në Kuvend, është në Qeveri dhe Qeveria e ka kohën e saj për ta trajtuar edhe për ta sjellë në Kuvend. Deri tash nuk na është sjellë në Kuvend dhe mendoj se kërkon një kohë për të cilën duhet të presim dhe të shohim se a mund të sillet sa më shpejt si ligj dhe pastaj Kuvendi ta trajtojë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kërçeli.
Ai ka bërë thirrje për kujdes në trajtimin e kësaj çështjeje, duke thënë se veprimet e ngutshme mund të kenë pasoja.
“Unë mendoj se nuk është mirë të bëjmë veprime të ngutshme, sepse nga këto veprime të ngutshme sot e kemi Gjykatën Speciale në Hagë. Nga këto veprime jo mirë të analizuara dhe jo mirë të studiuara, sot e kemi këtë problem për Republikën e Kosovës. Mendoj se nuk kemi nevojë të reagojmë, por duhet t’i analizojmë gjërat me kujdes dhe ta shohim se si është më së miri për vendin tonë dhe për ata që janë në Hagë tash e gjashtë vjet e gjysmë”, ka deklaruar ai mbrëmë në Teve1.
Kërçeli është shprehur edhe kundër lidhjes së çështjes së këtij ligji me zgjedhjen e presidentit.
“Nuk e di pse këto dy tema lidhen mes vete, sepse sjellja e ligjit nuk ka asgjë të përbashkët me këtë çështje. Nëse dikush dëshiron që ta bëjë kauzë të re zgjedhore çështjen e ligjit, kjo është krejt diçka tjetër”, ka thënë Kërçeli.
Ai ka akuzuar PDK-në se po tenton ta shfrytëzojë këtë çështje për përfitime politike gjatë fushatës.
“Hiç më larg se dje kemi zyrtarë të PDK-së të cilët janë deklaruar se PDK-ja duhet pikërisht të votohet për këtë pjesë. Do të thotë, kanë filluar ta shohin si retorikë e cila mund të përdoret në fushatë. Unë mendoj që kjo nuk është korrekte dhe nuk guxojnë të bëjnë fushatë edhe të marrin poena politikë me një temë kaq të ndjeshme, e cila prek jo vetëm ata në Hagë dhe jo vetëm çlirimtarët e Kosovës, por e prek tërë Republikën e Kosovës”, ka thënë tutje Kërçeli.