Sot, protesta gjithëpopullore
Qytetarë të shumtë pritet të marrin pjesë sot në Prishtinë në marshin për drejtësi me moton “Jo në emrin tim”, e organizuar nga platforma “Liria ka emër”.
Marshi vjen pas protestave të zhvilluara gjatë 15 ditëve të fundit, lidhur me dënimin prej gjithsej 81 vjetësh burgim ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Protesta do të nisë në orën 16:00, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se pjesëmarrjen e kanë paralajmëruar qytetarë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, përfshirë edhe figura të njohura politike dhe publike.
Marshi synon të përcjellë mesazhin “Jo në emrin tim”, ndërsa organizatorët kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen kësaj proteste.
Sipas organizatorëve, zgjedhja e 1 tetorit nuk është e rastësishme.
Kjo datë lidhet me protestën studentore të 1 tetorit 1997, e cila konsiderohet një nga momentet simbolike të rezistencës paqësore në Kosovë.
Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, përfaqësues të platformës “Liria ka emër” u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit, duke kërkuar mbështetje për ish-krerët e UÇK-së dhe kundërshtuar dënimet e shqiptuara ndaj tyre nga Dhomat e Specializuara.
Ndër kërkesat e organizatorëve janë unifikimi i spektrit politik, hartimi i një strategjie institucionale, si dhe miratimi i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.