Haradinaj: Për familjen Gërvalla jam mirënjohës, por për Donikën si politikane nuk kam respekt

Ish-kryeministri dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar raportet e tij me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke bërë dallim mes respektit që shpreh për familjen Gërvalla dhe vlerësimit të tij për të si politikane.

Duke folur për qëndrimet e Gërvallës lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale dhe deklaratën e saj se është “zëri i viktimave”, Haradinaj tha se nuk ka respekt për të në aspektin politik.

“Sa i përket kështu, si politikane, nuk kam ndonjë respekt për të. Ose në këto qëndrime, këto, me të vërtetë s’kam asnjë respekt për të”, ka deklaruar Haradinaj.

Megjithatë, ai theksoi se qëndrimi i tij ndaj Donika Gërvallës si politikane nuk duhet të përzihet me respektin që ka për familjen e saj dhe trashëgiminë e familjes Gërvalla.

“Jo, jo, jo për trashëgiminë biologjike. Për nderin e kombit, që familja Gërvalla, ajo familja, ata vëllazër, Bardhoshi, po edhe të tjerët, janë nder i kombit”, u shpreh Haradinaj në Kanal10.

Ai tha se Donika Gërvalla është rritur në rrethana të vështira dhe se për këtë arsye shpreh mirënjohje ndaj saj dhe familjes së saj.

“Kjo është një fëmijë i tyre që është rritur në kushte të vështira, pa fajin e vet. Ka rritur nëna e vet në kushte të vështira, familja ka vuajtur. Në çdo aspekt jam edhe falënderueshëm edhe mirënjohës”, tha Haradinaj.

Por, sa i përket ushtrimit të funksioneve publike dhe rolit të saj si politikane e ministre, Haradinaj ishte kritik.

“Sa i përket ushtrimit, funksioneve që i ushtron, Donikë si politikane, si ministre, këto... zero, për fat të keq”, deklaroi ai.