Zulfaj: Katër vjet nga aplikimi për BE, Kosova ende pa statusin e kandidatit

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka thënë se Kosova ka përparuar në disa fusha të reformave, por se procesi i anëtarësimit në BE ka mbetur në vend.

Duke folur për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, Zulfaj tha se vendi ka Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në fuqi që nga viti 2016, përfiton nga asistenca e para-anëtarësimit dhe po zbaton agjendën e reformave në kuadër të Planit të Rritjes. BE-ja, sipas tij, është donatori dhe partneri më i madh tregtar i Kosovës.

Ai tha se Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, por që nga atëherë, sipas tij, aplikimi nuk ka avancuar.

“Për sa i përket trajektores së anëtarësimit, jemi ende në ngecje. Kemi aplikuar për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022. Pra, këtë dhjetor bëhen katër vjet që nga dorëzimi i aplikimit tonë dhe që prej atëherë aplikimi nuk ka ecur asnjë hap përpara”, tha Zulfaj.

Edhe aktualisht, Kosova mbetet potenciale për anëtarësim dhe nuk ka marrë statusin e vendit kandidat. Komisioni Evropian ka deklaruar se është i gatshëm të përgatisë Opinionin për aplikimin e Kosovës nëse një kërkesë e tillë i bëhet nga Këshilli i BE-së.

Zulfaj tha se prioriteti i Kosovës është pikërisht marrja e statusit të kandidatit, por theksoi se paralelisht duhet të përgatitet edhe hapja e negociatave për anëtarësim.

“Prioriteti është statusi i kandidatit. Por do të shtoja kështu, ashtu siç e theksojmë gjithkund, që vetë statusi i kandidaturës nuk mjafton dhe që hapja e negociatave për anëtarësim do të duhej të bëhej gati në të njëjtën kohë”, u shpreh ai.

Kryenegociatori foli edhe për reformat, duke thënë se vonesat institucionale kanë ndikuar në zbatimin e tyre dhe mund të shkaktojnë edhe humbjen e disa fondeve.

Ai theksoi gjithashtu se Kosova është plotësisht e përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.

Sipas Zulfajt, procesi i integrimit evropian është në interes të përbashkët të Kosovës dhe BE-së, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit, institucioneve demokratike dhe tranzicionit energjetik.

Sa i përket pengesave në proces, Zulfaj përmendi dialogun me Serbinë dhe faktin se pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Pra, Kosova është në përputhshmëri të plotë, përkatësisht e përafruar, dhe nuk mendoj që ka ndonjë pengesë reale në këtë drejtim”, tha ai, duke iu referuar harmonizimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.