Para qëndrimit në Kosovë, Ursula von der Leyen nis vizitën në Tiranë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është pritur në një ceremoni zyrtare nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të vizitës së saj në Tiranë.

Von der Leyen mbërriti në kryeqendrën shqiptare, ku u prit nga kreu i qeverisë shqiptare, ndërsa vizita e saj në Tiranë është pjesë e një turi në katër shtete të Ballkanit Perëndimor.

Në qendër të takimeve pritet të jetë ecuria e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Përveç me Ramën, gjatë qëndrimit në Tiranë, ajo pritet të zhvillojë takime edhe me presidentin shqiptar, Bajram Begaj.

Presidentja e Komisionit Europian vjen në Shqipëri edhe me një plan për një udhërrëfyes të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, që synon t’i ndihmojë këto vende në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Plani parashikon reforma prioritare, afate orientuese dhe objektiva për përfundimin e fazave të negociatave.

Në fokus pritet të jenë edhe datat e 6 tetorit, kur pritet të paraqitet rishikimi i politikës së para-anëtarësimit, si dhe 15-16 tetori, kur liderët e Bashkimit Europian do të diskutojnë zgjerimin dhe reformat e brendshme.

Pas Tiranës, Von der Leyen do të vizitojë edhe Kosovën, ku do të ketë takime me krerët institucionalë.