Rizvanolli: Kosova tashmë ofron treg tërheqës për investime në energjinë e gjelbër
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në Forumin Kosovë–Luksemburg për Financimin me Ndikim, ku në fokus ishte mobilizimi i investimeve private në Kosovë dhe forcimi i sektorit financiar për mbështetjen e tranzicionit të gjelbër.
Gjatë forumit u diskutua për mundësitë e investimeve në sektorin e energjisë, zhvillimin e financave të qëndrueshme, si dhe nevojën për mobilizimin e kapitalit dhe diversifikimin e burimeve të financimit për projektet që lidhen me tranzicionin energjetik, dekarbonizimin dhe përballjen me ndryshimet klimatike.
Në fjalën e saj, ministrja Rizvanolli tha se gjatë pesë viteve të fundit është punuar për krijimin e bazës për transformimin e sektorit energjetik.
Ajo tha se ky proces është udhëhequr nga dy prioritete kryesore: rritja e prodhimit vendor të energjisë së ripërtërishme dhe përdorimi më efikas i energjisë në të gjithë ekonominë.
“Gjatë pesë viteve të fundit është punuar për të hedhur themelet e transformimit të sektorit energjetik. Kjo punë udhëhiqet nga dy prioritete qendrore: zgjerimi i prodhimit vendor të energjisë së ripërtërishme dhe përdorimi më efiçientë i energjisë në të gjithë ekonominë”, tha Rizvanolli.
Ministrja theksoi edhe progresin e arritur në zhvillimin e projekteve të energjisë diellore dhe të erës përmes ankandeve, si dhe projektin për bateritë e ruajtjes së energjisë.
Sipas saj, gjatë kësaj periudhe janë realizuar edhe investime në rinovimin e ndërtesave publike dhe shtëpive private, ndërsa mbi 43 mijë ekonomi familjare janë subvencionuar për pajisje dhe masa të efiçiencës së energjisë.
“Kosova tashmë ofron një treg tërheqës, transparent dhe të parashikueshëm për investime në sektorin e energjisë së gjelbër”, tha ministrja Rizvanolli.
Forumi u fokusua gjithashtu në nevojën për krijimin e mekanizmave që do të mundësonin përfshirjen më të madhe të kapitalit privat në financimin e projekteve të tranzicionit energjetik dhe klimatik.
Në forum morën pjesë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, shefi i Misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, si dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, sektorit financiar, komunitetit të biznesit dhe ekspertë të fushave përkatëse.