ATK-ja paralajmëron bizneset që mund të kenë kaluar pragun për regjistrim në TVSH

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka nisur monitorimin e një kategorie të tatimpaguesve për të cilët, bazuar në deklarimet për vitet 2024 dhe 2025, ka indikacione se mund të kenë tejkaluar pragun ligjor prej 30 mijë eurosh qarkullim vjetor për regjistrim në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Sipas ATK-së, personat e tatueshëm që ushtrojnë aktivitet ekonomik në mënyrë të pavarur dhe tejkalojnë qarkullimin prej 30 mijë eurosh brenda një viti kalendarik, kanë obligim ligjor të regjistrohen në TVSH.

ATK-ja u ka bërë thirrje tatimpaguesve që të rishikojnë deklarimet e tyre, veçanërisht të dhënat për qarkullimin e realizuar, dhe të korrigjojnë çdo pasaktësi nëse konstatojnë se kanë përmbushur kriteret për regjistrim në TVSH.

Institucioni u ka kërkuar bizneseve që këtë ta bëjnë vullnetarisht dhe para fillimit të procedurave të verifikimit nga ATK-ja, duke paralajmëruar se mosrespektimi i obligimeve tatimore mund të sjellë masa ligjore.

“Përmbushja e obligimeve tatimore në kohë u mundëson tatimpaguesve të shmangin pasojat dhe masat ligjore që mund të aplikohen në rast të mospërmbushjes së tyre”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Sipas të dhënave të ATK-së, vetëm gjatë periudhës janar–gusht 2026, në sistemin e TVSH-së janë regjistruar 3,093 biznese të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të bizneseve të regjistruara në TVSH në 40,082.

ATK-ja ka bërë të ditur se tatimpaguesit e kësaj kategorie do të jenë objekt i verifikimit dhe trajtimit tatimor në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi. /Zëri