Komisioni për Buxhet miraton kredinë 60 milionë euroshe për Lojërat Mesdhetare

Komisioni për Buxhet ka miratuar me tetë vota për Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, në vlerë prej 60 milionë eurosh, për projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit në komision ka bërë të ditur se projekti parasheh renovimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së kampusit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, si dhe renovimin dhe ndërtimin e objekteve sportive në institucione të ndryshme arsimore.

Sipas Muratit, gjatë zhvillimit të Lojërave Mesdhetare, kampusi i studentëve do të shërbejë si fshat i atletëve, ndërsa objektet sportive të shkollave do të përdoren si qendra stërvitore.

“Projekti synon të rinovojë dhe të zgjerojë infrastrukturën e kampusit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, pra tek konviktet, si dhe të rinovojë dhe ndërtojë objekte sportive në institucionet të ndryshme arsimore përreth hapësirës, pra tek konviktet. Projekti parashikohet të sjellë përfitime për studentët, duke mbështetur njëkohësisht organizimin e Lojërave Mesdhetare, të cilat gjatë zhvillimit të lojërave, kampusi i studentëve do të shërbejë përkohësisht si fshati i atletëve. Ndërsa objektet sportive të shkollave, pra, do të përdoren si qendra stërvitore në hapësirat përreth”, tha ai.

Murati ka theksuar se projekti synon të krijojë përfitime afatgjata për studentët dhe banorët e Prishtinës, duke përmirësuar infrastrukturën arsimore dhe sportive.

“Përtej Lojërave Mesdhetare, projekti është i dizajnuar për të vendosur një trashëgimi të qëndrueshme për studentët e Universitetit të Prishtinës, si dhe banorët e qytetit të Prishtinës, pra që shfrytëzojnë edhe hapësirat përreth, por edhe institucionet arsimore në të cilat, pra, do të ketë renovim apo ndërtim të qendrave sportive. Në këtë kuptim, projekti pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për më shumë se 40 mijë studentë, duke ofruar infrastrukturë moderne, të qasshme, si dhe me cilësi të lartë për arsimin, por edhe sportin. Në nivelin institucional, projekti do të kontribuojë në forcimin e sektorit të sportit, duke promovuar pjesëmarrjen më të gjatë në aktivitete sportive, si dhe do të përmirësojë kushtet e jetesës së studentëve me ndikime pozitive në performancën akademike të tyre”, tha ai.

Sa i përket financimit, Murati ka bërë të ditur se kredia është në vlerë prej 60 milionë eurosh, me mundësi të përfitimit edhe të një granti investiv prej 10 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), duke e çuar vlerën e përgjithshme të investimit në 70 milionë euro.

“Sa i përket strukturës së financimit, vlera e kredisë së propozuar është 60 milionë euro, me mundësi të fitimit edhe të një granti investiv nga WBIF me vlerë prej 10 milionë eurove shtesë. Pra, në tërësi, 70 milionë euro parashikohet që të jetë investimi i tërësishëm. Afati i maturimit të kredisë është 12 vjet, duke përfshirë periudhën grejs prej pesë vjetësh. Ndërkaq, sa i përket normës së interesit, Ministria e Financave ka mundësinë të zgjedhë ndërmjet asaj fikse dhe asaj variabile në momentin kur bëhet disbursimi. Norma variabile apo e ndryshueshme bazohet në Euribor gjashtëmujor, plus marzhën prej 1.65 pikë përqindjeje. Ndërsa norma fikse i referohet atij indeksit përkatës, konform dispozitave të marrëveshjes së kredisë në momentin e disbursimit. Tarifa e zotimit ndërkaq është 0.5 për qind në vit. Gjithashtu, aplikohet edhe tarifa e njëhershme e menaxhimit, në vlerën prej 1 për qind të shumës maksimale të kredisë. Këto janë sa i përket kushteve financiare dhe detajet, apo një përmbledhje e shkurtër sa i përket projektit”, tha Murati. /eo