PDK-ja lëshon Komisionin për Buxhet, kundërshton punën pa konstituim dhe mosprocedimin e Ligjit për Specialen

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Buxhet, pasi kanë kundërshtuar fillimin e shqyrtimit të projektligjeve pa u bërë më parë konstituimi formal i komisionit, si dhe mosfutjen në agjendë të ndryshimeve ligjore për Dhomat e Specializuara.

Në mbledhje në rend dite eshte shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se deputetët e partisë së tij kanë marrë pjesë në mbledhje me qëllim që të shqyrtohet nisma ligjore e proceduar nga PDK-ja, ndërsa kritikoi shumicën për, siç tha, trajtimin e situatës si normale.

Ai pati kritika që komiaion është duke filluar punën pa u konstituuar.

“Ne kemi ardhur edhe në këtë komision me të vetmin qëllim që të kemi në shqyrtim nismën ligjore që e kemi proceduar, po e shohim që mazhoranca që po e merrni sikur është gjendje normale, por është gjendje e jashtëzakonshme. Është koha që edhe ne si deputetë të marrim këtë përgjegjësi që na takon, unë e di që edhe ju kryetar keni qenë pjesë e luftës, prandaj mos të ndalemi në këtë proces sikur është normale. Prioritet i këtij komisioni është mbështetja që është dashur me ba si shtet edhe në aspektin financiar”, tha ai.

Ndërkohë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se moskonstituimi formal i komisioneve nuk përbën pengesë për vazhdimin e punës.

“Konstituimi formal i komisioneve nuk është që na pengon me vazhdu. Nuk e shoh pengesën në këtë drejtim, ne mund të konstatojmë edhe tani që është konstituuar”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, kritikoi gjithashtu mënyrën e zhvillimit të punës së komisionit, duke kërkuar që prioritet të jenë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe mbështetja financiare për ish-krerët e UÇK-së.

“Fillimisht jeni mësuar që ta shkelni Kushtetutën dhe ligjet, nuk mund të shkelni edhe praktikën. Duhet që prioritet të kemi plotësim-ndryshimin e Dhomave të Specializuara, ndihmën financiare për ish-krerët e shtetit”, tha ajo.

Pas këtyre diskutimeve, deputetët e PDK-së lëshuan mbledhjen e Komisionit për Buxhet, duke kundërshtuar vazhdimin e punës pa konstituimin formal të komisionit dhe mosadresimin e nismës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. /EO