Ministri i Sportit zbulon shumën e ndarë për sportistët dhe trajnerët e Kosovës, pas medaljeve në “Taranto 2026”
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka aprovuar mbështetje financiare prej 70.500 eurosh për sportistët dhe trajnerët që fituan medalje në lojërat mesdhetare "Taranto 2026", me shumën që përcaktohet sipas ngjyrës së medaljes.
Gashani ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se ka aprovuar mbështetje të njëhershme financiare në vlerë prej 70.500 eurosh për sportistët dhe trajnerët kosovarë, si shpërblim për rezultatet e arritura në lojërat mesdhetare Taranto 2026.
Sipas skemës së përcaktuar, medalja e artë shpërblehet me 10.000 euro për sportistin dhe 5.000 euro për trajnerin, medalja e argjendtë me 5.000 dhe 2.500 euro, ndërsa medalja e bronztë me 3.000 dhe 1.500 euro.
Gashani ka vlerësuar përkushtimin dhe rezultatet e sportistëve kosovarë, duke theksuar se çdo medalje përfaqëson punën dhe disiplinën e tyre, por edhe krenari për Kosovën.
Ai ka thënë se si ministër mbetet i përkushtuar që rezultatet e larta sportive të vlerësohen dhe të mbështeten institucionalisht, duke u uruar sportistëve dhe trajnerëve sukseset e radhës.
Postimi i plotë i Gashanit, pa ndërhyrje:
Sot kam aprovuar mbështetjen financiare në vlerë të përgjithshme prej 70,500 euro për sportistët dhe trajnerët tanë, për rezultatet dhe medaljet e fituara në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026.
Kjo mbështetje e njëhershme është përcaktuar në bazë të medaljeve të fituara:
Medalja e artë – 10,000 euro për sportistin dhe 5,000 euro për trajnerin;
Medalja e argjendtë – 5,000 euro për sportistin dhe 2,500 euro për trajnerin;
Medalja e bronztë – 3,000 euro për sportistin dhe 1,500 euro për trajnerin.
Sportistët tanë, përmes punës, disiplinës dhe rezultateve të tyre, vazhdojnë ta përfaqësojnë denjësisht Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Çdo medalje e fituar është rezultat i përkushtimit të tyre dhe njëkohësisht krenari për vendin tonë.
Si Ministër i Sportit dhe Rinisë, mbetem i përkushtuar që rezultatet e larta sportive të vlerësohen dhe të mbështeten institucionalisht, duke krijuar motiv, kushte dhe mundësi sa më të mira për sportistët dhe trajnerët tanë në rrugën drejt sukseseve të reja.
Urime sportistëve dhe trajnerëve tanë për rezultatet e arritura dhe faleminderit shumë për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës!