Kurti: Serbia dhe Rusia do të përpiqen ta përdorin aktgjykimin kundër Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova duhet të zhvillojë një fushatë të përbashkët të diplomacisë publike pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.

Kurti tha se Serbia dhe Rusia mund të tentojnë ta përdorin aktgjykimin kundër Republikës së Kosovës.

“Natyrisht që duhet të ndërmarrim edhe një fushatë të përbashkët sa i përket diplomacisë publike, sepse natyrisht që do të ketë përpjekje nga Serbia dhe Rusia që aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të përdoret kundër Republikës së Kosovës”, u shpreh Kurti.

Ai foli edhe për pretendimet e mëhershme lidhur me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, duke thënë se këto pretendime nuk janë përfshirë në aktakuzë.

“E para, e ashtuquajtura Shtëpia e Verdhë dhe i ashtuquajturi trafikim i organeve, që ishte shpikje e deputetit rus në Këshillin e Evropës, nuk ia arriti as tek aktakuza”, tha Kurti.