“Thaçi dhe të tjerët”, afati për njoftimet e apelit zgjatet deri më 27 nëntor

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka zgjatur afatin për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe bashkë të akuzuarve.

Sipas Dhomave të Specializuara, vendimi është marrë më 29 shtator 2026, pas kërkesës së ekipeve të Mbrojtjes për zgjatje të afatit, transmeton Zeri.info.

Paneli ka miratuar të njëjtin afat edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke caktuar 27 nëntorin 2026 si datën e fundit për dorëzimin e njoftimeve për apel nga Mbrojtja dhe ZPS-ja.

Në një vendim tjetër të marrë po më 29 shtator, Paneli i Apelit ka përcaktuar edhe modalitetet për pjesëmarrjen e viktimave në procesin e apelit.

Sipas vendimit, pjesëmarrja e viktimave do të bazohet në një praktikë të ngjashme me atë të aplikuar gjatë gjykimit në shkallën e parë, me përshtatjet e nevojshme për procesin e apelit.

Aktgjykimi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit u shpall më 16 shtator 2026. Me caktimin e 27 nëntorit, të gjitha palët kanë tashmë një afat të përbashkët për të paraqitur njoftimet për apel. /Zëri